Ferizaj, 10 prill 2018 – Rreth 350 kilogramë nënprodukte të mishit, të skaduar dhe të prishur, janë konfiskuar sot në rajonin e Ferizajt. Konfiskimi është bërë në bashkëpunim mes Komunës së Ferizajt, Inspektoratit Komunal dhe Policisë së Kosovës.
Në njoftimin e Komunës së Ferizajt, thuhet se aksioni i Inspektoratit Komunal ka rezultuar me konfiskimin dhe asgjësimin e afro 350 kg. nënprodukte të mishit, të cilat janë hasur gjatë kontrollit rutinor nga ana e policisë, në një mjet transportues që po qarkullonte në territorin e Ferizajt, për të cilën është njoftuar Inspektorati Komunal që menjëherë kanë dal në vendngjarje, kanë konstatuar gjendjen dhe e konfiskuar këtë mall për ta asgjësuar më pas. “Inspektorati Komunal është vënë në një dinamikë të jashtëzakonshme pune. Vazhdimisht jemi në monitorim të kushteve dhe cilësisë së produkteve që ofrohen në treg. Deri më tani kemi konfiskuar dhe asgjësuar një sasi të jashtëzakonshme të mishit dhe nënprodukteve të tij nga aksionet që kemi realizuar. Mbështetja për këto aksione është drejtpërdrejtë nga kryetari i Komunës, Agim Aliu, bashkë edhe me organet e sigurisë dhe të drejtësisë do t’i shkojmë deri në fund këtij aksioni”, thuhet mes tjerash në njoftim.