• Libri “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, i botuar në vitin 1973, sot për sot mbetet Kushtetuta e gjuhës sonë! Ky libër ka dalë nga punimet e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, i mbajtur më 25 nëntor 1972, në Tiranë.
Synimi i këtij kongresi ishte të përcaktoheshin parimet dhe drejtimet kryesore për hartimin e rregullave të drejtshkrimit, për të pasur një gjuhë letrare të njësuar kombëtare. Mirëpo, që nga viti 1973 e deri më sot, ashtu si shoqëria, edhe gjuha është zhvilluar dhe, më shumë se kurrë, lind nevoja që “Drejtshkrimi” ynë të rishikohet në disa pika. Një nga këto pika është edhe ajo e përdorimit të shkronjës së madhe. Sipas drejtshkrimit aktual, emrat: “zot”, “allah”, “perëndi”, “bajram”, “pashkë”, “krishtlindje” shkruhen me shkronjë të vogël. Pak më poshtë, emrat e përveçëm të kafshëve shkruhen me shkronjë të madhe. Sot këta emra përgjithësisht shkruhen me të madhe: Allah, Zot, Krishtlindje, Bajram, Pashkë. Por kjo nuk është bërë normative, pra nuk është bërë pjesë e “Kushtetutës” sonë gjuhësore! Mbetet të shpresojmë se sot, më shumë se kurrë, duhet të mblidhet një kongres i përmasave të tilla, për të rishikuar problemet që hasim sot tek gjuha shqipe.
Shpresojmë të kemi një mendim të unifikuar nga të gjithë gjuhëtarët dhe jo mendime dhe rregulla të nxjerra nga njerëz të përveçëm. Kjo, sepse duke mos qenë normativë, krijojmë më shumë paqartësi, sesa zgjidhim probleme!
(Autorja është specialiste e gjuhës shqipe. Punon si redaktore gjuhësore në disa media dhe shtëpi botuese)