• Më 23 mars 1989 ndodhi një nga momentet më të rënda politike në historinë moderne të Kosovës. Në Kuvendin e Kosovës u votuan ndryshimet kushtetuese që shuanin autonominë e garantuar me Kushtetutën e e Jugosllavisë të vitit 1974, duke e vendosur Kosovën nën kontroll të drejtpërdrejtë të Serbisë. Ky proces ishte pjesë e strategjisë politike të regjimit të Slobodan Millosheviqit, i cili në fund të viteve tetëdhjetë nisi centralizimin e pushtetit në ish-Jugosllavi dhe kufizimin e të drejtave të krahinave autonome. Seanca e Kuvendit u zhvillua në një atmosferë presioni të jashtëzakonshëm politik dhe policor, ku para ndërtesës së Kuvendit dhe në gjithë Kosovën kishte protesta të shumta ndërsa shumë delegatë u përballën me kërcënime dhe trysni për të votuar PËR ndryshimeve kushtetuese. Megjithatë, vendimi u miratua dhe kështu u shënua një kthesë historike që shënoi fillimin e një periudhe të gjatë represioni politik, ekonomik dhe institucional ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Kjo ngjarje mbeti një plagë e thellë në kujtesën kolektive. Ajo shpesh përmendet edhe për faktin se, për ndryshimet kushtetuese, votuan edhe disa deputetë shqiptarë, të cilët historia i ka trajtuar si pjesë të një procesi të imponuar politikisht.
Në analizat historike kjo periudhë përshkruhet si momenti kur Kosova humbi statusin e saj autonom dhe u hap rruga për tensionet e viteve në vijim, e që më pas do të çonin në rezistencën politike të viteve nëntëdhjetë dhe përfundimisht në luftën e Kosovës.
• Ndërkaq, më 24 mars të vitit 1999, filluan sulmet ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore të Jugosllavisë së mbetur, gjegjësisht Serbisë. Sulmet filluan në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së Jugosllavisë që kishte mbetur, pasi republikat, përpos Malit të Zi, ishin ndarë nga federata që kontrollohej në masë të madhe nga Serbia. Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, i cili atë mbrëmje mbajti fjalimin historik para popullit amerikan, duke lajmëruar se kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë. “Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti serb, Milosheviq, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend të paqes”, kishte thënë presidenti Clinton.
Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i Milosheviqit dhe, më 11 qershor forcat serbe fillojnë të largohen nga territori i Kosovës.
