Prishtinë, 02 shtator 2014 – Në konferencën e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) iu bë sot thirrje zyrtarëve të institucioneve që t`iu shmangen kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe mediave. E nëse kanë raste të pakënaqësisë ndaj punës së mediave, AGP iu sugjeroi institucioneve që t`i ndjekin rrugët ligjore. “Që nga muaji prill e deri në fund të muajit korrik, janë evidentuar 10 raste, kur gazetarët dhe kameramanët e mediave në Kosovë janë kërcënuar, madje edhe janë sulmuar fizikisht.
Rastet e fundit janë edhe ato të publikimeve të bisedave të gazetarëve, që përbën një lloj tjetër kërcënimi publik. Madje, gazetarët, përveç presionit nga personat publik, po ballafaqohen edhe me presionin që po u bëhet nga menaxhmenti i mediumit ku punojnë. Së fundmi, në mediumin publik janë bërë disa parapërjashtime të redaktorëve, në mënyrë të jashtëligjshme”, u tha mes tjerash në konferencë, duke i ftuar gazetarët, kameramanët, fotoreporterët, redaktorët dhe kryeredaktorët e të gjitha mediave, duke i përfshirë edhe ato të minoriteve, që të regjistrohen në AGK. Në të kundërtën, siç u tha në konferencë, AGK-ja nuk do të ketë obligim në mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Kryetari i AGK-së, Zekrija Shabani, tha se nuk janë aspak të kënaqur me gjendjen në mediat e Kosovës, madje janë të shqetësuar për gjendjen e tyre. Ai përmendi disa raste, kur gazetarët kanë qenë nën presion të zyrtarëve të institucioneve të shtetit. “Gjatë gushtit, gazetarët kanë qenë cak i një forme tjetër të presionit, duke u përballur me fyerje nga zyrtarë të ndryshëm. Në Komunën e Prizrenit kemi shqetësime të kolegëve, se kryetari Ramadan Muja, ka filluar të luaj rolin e mësuesit për gazetarët, duke iu treguar se çfarë duhet të raportojë e çfarë jo”, tha Shabani, duke përmenduar edhe deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fisnik Ismajlin, të cilin e ka ftuar që të kërkojë falje për fyerjen që iu ka bërë anëtarëve të AGK-së. Shabani ka përmendur edhe shqetësime të tjera që kanë për mediumet në vendin tonë. Një ndër to ishte edhe zbatimi i ligjit të punës, pasi që, sipas Shabanit, në shumë media ligji nuk është duke u respektuar, ndërkohë që gazetarët janë duke punuar edhe pa kontrata dhe me orar të stërzgjatur.
Arsim Halili, redaktor në RTK dhe nënkryetar i Sindikatës së Pavarur të Radio Televizionit të Kosovës, njëkohësisht edhe anëtar i Bordit të AGK-së, tregoi për presionin që po u bëhen në mediumin publik.
Ai tha se menaxhmenti i këtij mediumi, për t`iu kundërvënë Sindikatës së RTK-së, kan marrë vendime që janë në kundërshtim me ligjin e punës, duke i suspenduar dhe parapërjashtuar nga puna disa redaktorë. “Për një vendim të tillë, kemi pasur gjithmonë kërkesa për të marrë shpjegim nga menaxhmenti, por që asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje”, tha Halili.
Në këtë konferencë u shpreh shqetësim edhe për mangësinë e investimeve nëpër media, që sipas tij, do të ndihmonte në rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e kushteve të punës së gazetarëve.