Dragash, 08 qershor 2022 – Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilia Rexhepi, të martën vizitoi Komunën e Dragashit, e shoqëruar edhe nga drejtoresha e IOM-it për Kosovën, Ana Rostovska. Qëllimi i vizitës ishte paraparë të dominohej nga takimi me përfaqësuesit politikë të komuniteteve joshumicë në këtë komunë, ata që përfaqësohen në qeverisjen lokale dhe ata që janë në opozitë. Por, në realitet nuk ndodhi kështu sepse përfaqësuesit e Partisë Unike Gorane (Jedinstvena Goranska Partia) nuk u panë në takim, i cili ishte paraparë të organizohej në sallën e Kuvendit por që në momentin e fundit u zhvendos në zyrën e kryetarit të Komunës.
Redaksia jonë ka kontaktuar me kreun e JGP-së, Adem Hoxha, nga i cili ka mësuar se nuk janë ftuar në këtë takim, ndonëse ky subjekt kryeson politikën e komunitetit goran “Natyrisht se nuk ishim aty si të paftuar. Të ishim ftuar, me siguri do të ishim aty sepse ne jemi pjesë e udhëheqjes komunale në Dragash, madje këtë komunitet e përfaqësoj edhe në Kuvendin e Kosovës”, tha Hoxha, i cili është deputet në Kuvendin e Kosovës, si përfaqësues i komunitetit goran.
Në njoftimin që Komuna e ka lansuar në Facebook pas takimit, thuhet se vizita e znj. Rexhepi kishte për qëllim para se gjithash njohjen me problemet me të cilat ballafaqohet komuna e Dragashit, si dhe vizita tek përfituesit e projektit “Stabilizimi i Komuniteteve”, ku me kërkesë të zv-kryeministres kanë qenë të ftuar këshilltarët nga komuniteti joshumicë, si dhe drejtorët e Drejtorive komunale që udhëhiqen nga komuniteti joshumicë.
“Në fjalën e tij hyrëse, kryetari Bexhet Xheladini e informoi zëvendëskryeministren për të gjitha problemet kryesore me të cilat ballafaqohen banorët e komunës së Dragashit, me theks të veçantë në nevojat dhe problemet e komunitetit joshumicë. Kryetari i Komunës kërkoi mbështetjen e Qeverisë së Kosovës në realizimin e projekteve kapitale që nuk mund të financohen nga Komuna. Kryetari Xheladini përsëriti edhe njëherë kërkesat që i pati parashtruar zv-kryeministres gjatë takimit në Prishtinë. Ai kërkoi që sa mëa shpejtë të fillojnë punimet në rrugën Zhur – Dragash – Brod, financimin nga Qeveria dhe Komuna të projektit të Ujësjellësit për 15 fshatrat, ndërtimin e rrugës përgjatë lumit Plava, e cila lidh Kosovën me Shqipërinë, hapjen e kalimit kufitar, Restelicë – Strezimir, në kohëzgjatje prej 6 muajsh, asfaltimin e rrugës Zlipotok – Brod, si dhe asfaltimin e kilometrit të fundit të rrugës, Restelicë – kufiri me Maqedoninë.
Kryetari Xheladini gjithashtu kërkoi nga zv-kryeministrja që të përdor autoritetin e vetë për të kaluar projektet që janë dorëzuar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Kryetari i komunës ka kërkuar që Qeveria e Kosovës, në përputhje me përqindjen e minoriteteve, të merrë mjete nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, sepse komuna e Dragashit është komuna me përqindjen më të lartë të minoriteteve në Kosovë. Kryetari Bexhet Xheladini gjithashtu falënderoi kreun e IOM-it për mbështetjen dhe financimin e projekteve dhe kërkoi vazhdimin e aktiviteteve, veçanërisht rritjen e numrit të projekteve nga të cilat përfitojnë të dy komunitetet, si ai boshnjako-goran ashtu edhe ai shqiptar.
Gjatë këtij takimi diskutuan edhe shefi i Zyrës së Komunitete, Uzair Hamza, drejtori i Urbanizmit, Bean Haxhiasan, drejtori i Shëndetësisë, Behar Brenolli, si dhe këshilltari nga Lëvizja për Gorën, Naxhmidin Sejdillar. Në fund, zv-kryeministrja Emilia Rexhepi dha mbështetjen e saj të plotë në zgjidhjen e të gjitha problemeve dhe theksoi se është e gatshme të ndihmojë komunën e Dragashit. Gjithashtu edhe drejtoresha e IOM-it premtoi se edhe më tej do të vazhdojë ta mbështesë komunën e Dragashit me projekte. Pas kësaj, delegacioni ka vizituar dy përfitues të programit ‘Stabilizimi i Komuniteteve’, i cili është implementuar në Brod”, thuhet në njoftimin e Komunës së Dragashit.
Emilia Rexhepi vizitoi Dragashin – Munguan përfaqësuesit e JGP-së!
POSTIMI PARAPRAKPërfundoi Kuizi në Matematikë për nxënësit e Dragashit