Dragash, 09 nëntor 2015 – Pajtim Ramadani nga fshati Kuk i Opojës, komuna e Dragashit në Kosovë, të shtunën u bë kampion i Zvicrës në sportin e Body Bildingut, kategoria e Juniorëve.
Në mesin e dhjetëra konkurrentëve, djaloshi 21-vjeçar, i cili si fëmijë ka migruar në Zvicër mori titullin e kampionit në kategorinë e juniorëve (Schweizermeister Junioren), ndërsa të shtunën e ardhshme do të paraqitet në Atlantik City, ku do ta përfaqësojë Zvicrën, në nivelin botëror.
Në një prononcim të shkurtër për Radio Sharrin, Pajtimi u shpreh se gëzimi i tij ishte i dyfishtë në këtë sukses, pasi aty prezantoi edhe talentin shqiptar. “Shumë mirë u ndjeva që jam shqiptar, prandaj kjo krenari me ka shtyrë që ta bëj shqiponjën në kraharor. Kjo tattoo do t’më identifikojë si shqiptar, kudo që të paraqitem”, tha Pajtim Ramadani.
• Shiko pamjet – VIDEO