Nga: Silvana BEGAJ
• Ekonomia është e ndërlidhur ngushtë me psikologjinë. Sot, në këtë kohë të një pandemie të papritur, bizneset dhe investitorët kanë shtypur butonin pauzë dhe po presin me frikë recensionin e pashmangshëm. Investitorët janë të bindur se masat qeveritare nuk janë të mjaftueshme për të ndaluar këtë rënie. Industria e udhëtimeve po pëson dëme të mëdha, pasi janë ndaluar në më shumë se 100 shtete fluturimet për të shmangur përhapjen e virusit. Supermarketet dhe shërbimet online kanë pasur rritje kërkesash në disa produkte si: letër higjenike, produkte ushqimore etj.
Mbyllja, izolimi i popullsisë, në shumë shtete ka sjell stopimin e prodhimit të shumë produkteve. “‘European Space Agency” ka regjistruar ulje të ndotjes ambientale në qiejt evropianë. Në Kinë, atje ku u shfaq virusi për herë të parë, shitjet dhe investimet ranë që në dy muajt e parë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019. Në një krizë të tillë, investitorët zgjedhin investime me rrezikshmëri të ulët.
Ari, floriri është konsideruar tradicionalisht si parajsë për investime në kohë të pasigurta. Por, edhe çmimi i arit ra ndjeshëm në mars, prandaj investitorët ndjehen të pasigurtë në këtë rënie globale. Frika po rritet, duke parashikuar se rënia ekonomike globale do të jetë e thellë dhe do të zgjasë, duke sjellë ankth. Pandemia është e gjitha emergjencë e shëndetit publik. Dhe, sa më shumë të vazhdojë kjo rrezikshmëri, bizneset nuk mund t’i kthehen më normalitetit. Çfarë ishte normale më parë, ndoshta tani nuk mund të jetë më. Ky stopim ekonomik kërcënon ta fusë ekonominë në një dhimbje, aq të thellë sa do t’kërkojë vite për ta rimarrë veten. Bizneset do të futen në borxhe por çdo gjë varet se sa kohë do të zgjasë kjo gjendje. Nëse kjo situatë vazhdon për një kohë të gjatë, atëherë, me siguri që kjo do të jetë “mamaja” e të gjitha krizave financiare.
Suedia ka bërë diçka të kundërt nga vendet e tjera. Ajo ka lënë përgjegjshmërinë individuale që të veprojë më shumë se sa masat ndëshkimore. Edhe pse po përballet me të njëjtën situatë, si e gjithë bota. Mënyra e pritjes së kësaj pandemie është me qetësi dhe pragmatizëm – pa panik. Shërbyes të shtetit në detyrë, politikanë dhe, mbi të gjitha kërkuesit shkencorë, përpiqen të japin gjithë informacionin e duhur për popullsinë. Ata prezantojnë rrezikshmërinë që mund të përballemi individualisht dhe kolektivisht dhe lejojnë njerëzit të masin apo peshojnë vetë rriskun e tyre apo të mirat që mund t’i kenë, të drejtuar nga logjika. Televizionet suedeze, si ato publike edhe ato private, kanë çdo mbrëmje të ftuar specialistë që të informojnë apo të përgjigjen për raste të caktuara.
Si po reagon Suedia dhe masat ekonomike që ajo ka marrë!
Është propozuar në parlamentin suedez një buxhet prej më shumë se 300 billion korona (rreth 300 miliardë euro). Qëllimi kryesor është që të ulen orët e punës dhe pagesa të ngelet 90 përqind e asaj që merret normalisht. Pra, humbja do të ndahet midis bizneseve dhe shtetit. Gjithashtu, kjo paketë mbulon edhe lejet për arsye shëndetësore, ku kostot apo humbjet do të ndahen midis shtetit dhe biznesit. Do të merren masa që bizneset të kenë mundësi të ruajnë likuiditetet dhe të paguajnë rrogat. Banka qëndrore, Riksbank, vendosi në 13 mars të japë hua për bizneset mbi 500 billion, me zero interes. Huatë individuale kanë të drejtë të shtynë dhënien e këstit, nëse kanë probleme financiare për shkak të krizës së virusit. Bizneset e hotelerisë dhe të linjave udhëtuese janë punët më të dëmtuara në sektorin e turizmit, duke sjellë papunësi tek më shumë se 15 mijë të punësuar, që nga 16 marsi.
Sigurisht që kjo krizë do të sjellë ndryshime rrënjësore në politikat ekonomike të shteteve dhe shpresojmë që këto ndryshime të jenë pozitive. Mos harroni… Mbajeni distancën dhe pa panik!
(Autorja ka studiuar për ekonomi në Universitetin e Tiranës. Aktualisht punon si ndihmës-pedagoge në Universitetin e Gavles, në Suedi. Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion, nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe pikëpamjet e redaksisë sonë)