Dragash, 05 mars 2015 – Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, ka thënë se ka diçka që po e pengon ekonominë kosovare, pasi, sipas tij, të gjitha parametrat ekzistojnë që Kosova të ecë më shpejtë drejtë zhvillimit ekonomik. “Mendoj se është në pyetje burokracia ajo që po e mbulon korrupsionin.
Ndryshe, s’ka se si të komentohet ndryshe, fakti që nuk po pengohen ata që po i sabotojnë ligjet dhe shtetin”, ka thënë sot në Dragash ambasadori Cliff, i cili u takua me kreun e kësaj Komune, Salim Jenuzin. Ky i fundit e njoftoi mysafirin britanik me situatën e përgjithshme në Dragash, duke thënë se, jo gjithçka është duke frymuar sipas ligjeve dhe kushtetutës së vendit, madje as nuk mund të thuhet se mirëqenia sociale është e shkëlqyeshme. Por, siç tha Jenuzi, e rëndësishme është se gjendja e sigurisë mbetet shembull për tërë Kosovën. “Për ne është e rëndësishme ruajtja e paqes, bashkëjetesës midis komuniteteve, si dhe gjendja e sigurisë. Po i ruajtëm këto vlera, të tjerat bëhen shkallë-shkallë.
Nuk mund të presim që brenda natës të ndryshojë gjithçka”, i tha Jenuzi ambasadorit britanik, duke përmendur se në Dragash ka filluar të zhvillohet industria e tekstilit, si dhe ajo e bujqësisë, energjetikës dhe turizmit.
Ambasadori Cliff, i cili për herë të parë ka vizituar Dragashin, ndonëse po bëhen katër vjet të qëndrimit të tij në Kosovë, u interesua edhe për kërkesën e goranëve për Komunë në vete, sistemin paralel të arsimit, si dhe për shkallën e përfaqësimit të minoriteteve në administratën komunale të Dragashit. Kreu i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, e njoftoi mysafirin se kërkesa e goranëve për Komunë nuk është e qëndrueshme, pasi edhe Komuna e Dragashit po ka vështirësi. “Edhe ashtu të bashkuar kemi vështirësi, pasi jemi trevë e varfër. Mendoj se kërkesat për Komunë në vete po vijnë nga ata që duan të jenë prijës të saj. Por, nuk mund të krijosh Komunë, vetëm për të marrë fonde nga qendra. Komuna duhet të ketë edhe bazë të vetën ekonomike për të mbijetuar, e që në trevën e Gorës nuk ka fare bazë ekonomike”, tha Jenuzi, duke shtuar se në administratën e Dragashit është në nivel të kënaqshëm përfaqësimi i minoriteteve. Ndërkaq, sa i përket arsimit paralel, Jenuzi tha se me këtë veprim goranët po e dëmtojnë komunitetin e vet dhe jo shqiptarët. Kjo, sepse, siç tha Jenuzi, me këto veprime ata po i pengojnë gjeneratat e reja që të integrohen në shoqërinë kosovare.