Apel ambasadës amerikane në Prishtinë – Mos e mbështetni Listën Serbe!

Apel ambasadës amerikane në Prishtinë – Mos e mbështetni Listën Serbe!

Nga: Nikola SANDULOVIQ


• Si mik dhe bashkëpunëtor i sinqertë i SHBA-së dhe si njohës shumëvjeçar i mundësive në Ballkan, sidomos i ngjarjeve të luftës, krimeve të luftës dhe gjenocidit të kryer në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, po ju dërgoj këtë letër, me një kërkesë për të rishqyrtuar vendimin tuaj për lejimin e pjesëmarrjes së “Listës Serbe” në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë.

Nëse i marrim parasysh provat dhe faktet e pa kontestuara se përfaqësuesit e lartë politik të “Listës Serbe” janë njerëz që kërkohen nga Interpoli dhe ndodhen në Listën e zezë të SHBA-së, se janë organizatorë të demonstratave të dhunshme në Kosovë, në të cilat janë lënduar rëndë pjestarë të KFOR-it, se kanë marrë pjesë në organizimin e krimeve ndër vite në Kosovë – tregti armësh, narkotikësh, pastrim parash, se përfaqësuesit e saj janë të lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, se kanë marrë pjesë në rrëmbimin tim, torturimin dhe tentim-vrasjen, se zyrtarët dhe pjesëtarët e saj morën pjesë në sulmin terrorist në fshatin Banjskë, me synim nisjen e një lufte të re në Kosovë, ku pësoi një polic i Kosovës, se ndikonë në votim tek komuniteti serb që jeton në Kosovë, duke i kërcënuar qytetarët dhe duke i penguar me forcë për vendosjen e një jete normale dhe të përbashkët të serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, duke punuar vazhdimisht kundër Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe duke ndikuar negativisht në skenën politike të Serbisë me votim të organizuar, ju bëj thirrje që ta ndryshoni vendimin tuaj, ku e kundërshtoni ndalimin e plotë dhe të përhershëm të ekzistencës dhe veprimit politik të “Listës Serbe” në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. “Lista Serbe” nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë parti politike, por organizatë kriminale, prapa së cilës ishte dhe është regjimi nacionalist nga Serbia, i cili është fajtor për të gjitha incidentet e luftës dhe ka kryer krime kundër njerëzimit në territorin e ish-Jugosllavisë.

Duke vepruar kështu, ju do t’i hapni rrugë disa partive të reja politike, me shumicë të popullsisë serbe, që ta krijojnë shtetin e tyre të përbashkët, Kosovën, pa frikën dhe ndikimin e regjimit nacionalist nga Beogradi.

(Autori është kryetar i Partisë Republikane në Serbi. Njëri nga politikanët që e ka pranuar realitetin në Kosovë dhe që e ka vizituar vendin tonë. Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion, nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe pikëpamjet e redaksisë sonë)