Njëzet markat e fundit!

Njëzet markat e fundit!

Nga: Leonora BUÇINCA


• Qershor, 1999. Dita e parë në liri. Së bashku me zabeljanët fisnik u ktheva te shpia. Çka me pa me sy! T’bijtë e shkinës s’kishin lënë gjë të keqe pa bërë! Kishin thye dyer e xhama, kishin vjedhë gjëra me vlerë… Veç zjarrin që s’ja kishin futur!
Ajo që m’bani me dekë, ishte skeleti i një qeni, i cili për nga struktura duhej të ishte qen Sharri. E kishin lidhë të gjorin për këmbë të tavolinës së bukës, me një zinxhirë goxha të gjatë. Ata e dinin që ne zbrisnim natën nga malet e Sankovcit, për me u furnizue me bukën e gojës apo edhe me ndonjë gjë tjetër të nevojshme, për vete, familjet tona dhe për popullatën në përgjithësi.
Kjo duhet të këtë ndodhë javën e fundit të luftës sepse, gjatë asaj jave, asnjë ushtarë e as fshatar nuk kishte vënë këmbë në shtëpitë e tyre, natën. Ishte e pamundur! Bombardimet e NATO-s po derdhnin gjithë potencialin ushtarak, për me i dhanë fund atij tmerri. Kështu që, ne nuk e dinim se çfarë po ndodhte me shtëpitë tona ato ditë. Nejse… Sapo e hapa derën e dhomës së ndejës, një lum krimbash shpërthyen anë e mbanë shtëpisë. Kishte ngordhë qeni i shkret, i lidhur me zinxhirë, pa bukë e pa ujë. Trupi i tij gjigant ishte shndërrue në mijëra krimba, që t’jepnin përshtypjen se dojnë me i hangër të gjallë shtëpi e njerëz. Aty, në dhomën e ndejës, ishte një vitrinë me libra, prej Mesharit të Buzukut e deri te ato të letërsisë së viteve të ’90. E kishin përmbysë vitrinën e në librat e shpërndarë në dysheme kishin shtruar shtretër krimbat. Ishte e pamundur me e gjetë një faqe libri pa një krimb.
E keni parasysh, kur ishim të vegjël, sidomos ne gjinia femërore, që i vinim fletët e luleve apo vet lul’dremiqaret në mes faqeve të librit? Eeee! Ashtu ishin vendosur krimbat!
Atë natë fjetëm në oborre, madje ishim të kënaqur që po flinim në oborrin e shtëpisë sonë, në Kosovën e lirë. Fjetëm pa frikë dhe pa darkë sepse nuk kishte asgjë për të ngrënë.
Të nesërmën mezi i gjeta një palë pantallona dhe një palë patika. Më duhej të shkoja në Prishtinë. Ne, ushtarët, duhej të lajmëroheshim për mbylljen e dosjes dhe statusit të luftëtarit, në prani të një ekipi ndërkombëtar, domethënë NATO-s, për t’i dorëzuar pajisjet luftarake, për të firmosur etj.
– Me kë po shkon?, më pyeti nana?
– Me Zotin, i thash! Autobus s’ka, taxi s’ka… Edhe me pasë, s’kam para me pagu udhëtimin. Me këto 20 marka që m’i lëshove n’dorë do t’ju sjell ndonjë ushqim, i thash nënës.|
Automjetet e njerëzve të fshatit tim ishin të vjedhura apo shkatërruara. Ata të paktit që gëzonin automjet, iu mungonte benzina. U nisa në këmbë. Deri te Kroni i Mbretit, në Korroticë të Naltë, eca këmbë. Aty ndaloi një traktor. Ishte një njeri bujar që e kisha njohur gjatë luftës dhe me të udhëtova deri n’Prishtinē.
Pasi mbarova procedurat, për të cilat kisha shkuar, u nisa drejt banesës së dajës Mi. Dajën Mi, ndjesë pastë, e kam pas edhe dajë edhe shok, edhe mësues… Gjatë kohës së maskave, në banesën e tij kam mbajtë gjithë atë që m’u ka dashtë për luftë. Ai më ka shoqëruar në çdo hap, derisa ndalova në mal. U gëzua aq shumë kur me pa… I kish’ pas thënë dikush që “Leo ka ngelë në Shqipni dhe nuk ka me i përballu plagët”.
Sa përqafime e lot gëzimi u mbush ajo ditë. Edhe nusja e dajës, sa s’u çmend nga gëzimi. Në fakt, e kisha nuse daje dhe shoqe t’mirë. Ajo, nga gëzimi, njëherë me përqafonte mua e njëherë vëllanë e sajë që kishte ardhë pak minuta para meje.|
– Faleminderit, o Zot! Leo e Jakupi qenkan gjallë, thoshte orë e çast ajo.
Pasi i ndërruam ca llafe, iu drejtova dajës: “Unë duhet me u kthy në Zabel. Nana nuk ka hangër, as dje as sot… Duhet me shku”. Daja deshi të më shoqëronte por nuk gjeti pikë benzine, edhe pse e kërkoi në gjithë qytetin. Mos u bëj merak, i thash. Rrugës do ta takoj dikë patjetër.
Sapo dola nga daja, aty te Kisha e Ulpianës, po shpërndanin ndihma ushqimore. Mora një pako dhe u nisa drejt shtëpisë. Në dalje të Prishtinës, para këmbëve të mia u ndal një makinë, bajagi luksoze.
– A je tu shku n’Zabel, oj kusherine?, me erdhi ky zâ!
– Po, ia ktheva.
– Nëse do me ardhë, eja me ne. Ky shoku im është duke shkuar në Skenderaj dhe unë po i bëj shoqëri. Vend kemi, me tha ai.
Sinqerisht u gëzova, 30 kilometër me ecë këmbë, me gjithë atë pako, e mbi të gjitha me gjithë lodhjen nga lufta, nuk ishte pak. Pasi u vendosa në makinë, e falënderova djalin e xhaxhait të babait tim, i cili jetonte që moti në Prishtinë dhe, fati deshi ta takoja atë ditë. Natyrisht, e falënderova edhe shokun e tij, i cili po i jepte makinës.
Gjatë rrugës me pyetën për përjetimet e ditëve në male. Më lavdëruan, se si kam luftuar deri në ditën e çlirimit. Më uruan për Kosovën e lirë etj.
Fjalë pas fjale, arritëm në Zabel dhe, në momentin që po bëhesha gati të zbrisja, ky shoku i djalit të xhaxhait të babait tim, më thotë:
– Për ty, pasi qënke kushërire e L. vetëm 20 marka po ta llogarisë shërbimin! U stepa! Më kujtohet t’i kem thënë se nuk kam para tjera… Dhe, kam ngelë e ngrirë një copë herë! Dhe, që përshëndetja e kushëririt ishte e tipit: Më vjen keq… Më vjen keq… Nuk është makina ime!
Kjo pra ishte dita e parë e çlirimit të vendit tim. Trupi im i ngjante një skeleti. Fytyrë e duar, i kisha të regjura e rrjepura nga ajo që bëja maleve, për Kosovën time dhe të tyren… Ende më vinte era barot, gjak e trishtim… E ata…
Ua lëshova mbi ulëset e makinës ato 20 markat e fundit që kisha dhe iu urova ditë të mbarë.
Aq e kishte ajo parolla “Drenicë, jam me ty”!

(Autorja është gazetare, e diplomuar në Universitetin e Triestes, ku edhe vepron e joton. Në Radio SHARRI e nis bashkëpunimin në fund të vitit 2014, si korrespondente nga Italia. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim, nuk paraqesin domosdoshmërish edhe pikëpamjet e redaksisë sonë)