Prizren, 06 nëntor 2016 – Aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari, ka vdekur dje në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, në rrethana ende të pasqaruara. Lajmin e kanë konfirmuar zyrtarë të kësaj qendre, si dhe subjekti politik të cilës i përkiste i ndjeri. “Shërbimi Korrektues i Kosovës, shpreh keqardhje të thellë për rastin tragjik të ndodhur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Shërbimi Korrektues i Kosovës, në bashkëpunim me institucionet tjera përgjegjëse, së shpejti do të japin raport për rrethanat dhe detajet e këtij akti tragjik”, thuhet në njoftimin për media të SHKK-së, duke sqaruar se i pandehuri ishte në paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale nga neni 136, par. 1, lidhur me nenin 135, par. 1, nënparagrafi. 1.7 të KPRK-së dhe dyshim i bazuar për veprën penale, neni 374 par. 1 të KPRK.
Edhe lëvizja Vetëvendosje e ka konfirmuar vdekjen e aktivistit të saj, duke e vlerësuar atë si hero të popullit. “Shoku ynë, aktivisti shembullor, Astrit Dehari, ka humbur jetën tragjikisht në moshën 26 vjeçare. Të gjithë ne e kemi gati të pamundur ta besojmë vdekjen e tij që na ka tronditur e na ka pikëlluar thellë në shpirt. Në këto momente tejet të rënda, Lëvizja VETËVENDOSJE! gjendet pranë familjarëve dhe miqve të ngushtë të Astritit, gjendemi sot pranë njëri-tjetrit, ne që e kishim atë shok dhe vëlla, ne që do ta kujtojmë atë përherë me dashuri. Astriti u shua tepër herët. Ai ishte në përfundim të studimeve për mjekësi në Universitetin e Prishtinës. Me jetën dhe përkushtimin e tij ndaj çështjes shqiptare, ndaj popullit tonë, ndaj studimeve, ndaj shokëve dhe shoqeve, dhe ndaj familjes së tij, Astriti na ka dhënë të gjithëve forcë dhe frymëzim. Në shembullin e jetës dhe përkushtim të tij, ne sot gjejmë forcën ta bëjmë të pamundurën ta ngushëllojmë sado pak familjen e tij dhe veten teksa ende e kemi vështirë ta besojmë se ai nuk do jetë më në mesin tonë. Për të gjithë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për familjarët, shokët dhe shoqet e Astritit, ai po largohet nga kjo jetë si hero i popullit për të cilin ai nuk u kursye kurrë. Si hero do ta përcjellim në banesën e tij të fundit, si hero do ta kujtojmë përgjithmonë”, thuhet mes tjerash në komunikatën e Vetëvendosjes.
Kujtojmë se vdekja e sotme e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje në burgun e Prizrenit, Astrit Dehari, nuk është humbja e parë për familjen Dehari nga Kumanova. Vëllai i Astritit, Arbnor Dehari, ish-Sekretar Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje për Prishtinën, kishte ndërruar jetë para rreth dy vitesh. Saktësisht, më 11 qershor të vitit 2014, Arbnori pati kërcyer nga kati i gjashtë i një ndërtese në Prishtinë.
Astrit Dehari, i cili vdiq dje në Prizren, ishte arrestuar nga Policia e Kosovës më 30 gusht të këtij viti, nën akuzën se ka qenë i përfshirë në sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës, më 4 gusht. Ai dyshohej se ka kryer vetëvrasje në burgun e Prizrenit, ku po mbahej në paraburgim prej 68 ditësh.
Vdekje e dyshimtë e aktivistit të Vetëvendosjes!
POSTIMI PARAPRAKShqyrtohet anëtarësimi i Kosovës në Interpol
POSTIMI I RADHËSMatrapazë të të gjitha vendeve – Bashkohuni!
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.