Konsumoni arrat si fryt dhe pjesët e kësaj bime – Ajo bën mrekulli!


arra shendeti mrekullia• Në mjekësinë popullore përdoren gjethet e arrës, lëvorja e degëzave,lëvorja e trungut, buka e arrës, lulet, si dhe vetë arra, kur ende është e papjekur. Gjethet e arrës mblidhen në pranverë, lulet dhe sythat në maj, ndërsa lëvorja e arrës, kur ende është e papjekur, në korrik.
Gjethet e arrës, pasi thahen, ruhen me kujdes që mos ta humbin aromën dhe shijen e tyre. Ndërkaq, lulet nuk mund të ruhen ashtu siç i mbledhim. Ato e ndryshojnë pamjen dhe cilësinë gjatë ruajtjes.
Lëvorja e arrës së gjelbër, pas tharjes bëhet më e hollë, rrudhet dhe merr shije të ëmbël. Gjethet kanë erë të fortë dhe aromatike, shije të hidhur, rrënjët dhe lëvorja e jashtme e arrës së gjelbër japin ngjyrë të gjelbër, ndërsa zhgualli përdoret për të ngjyrosur veshmbathjet e leshta dhe ato të mëndafshta, të cilat marrin ngjyrën e gështenjës. Gjithashtu, gjethet e njoma e të freskëta largojnë insektet dhe çimkat nga banesat. Një infuz i thjeshtë bën që të larohen milingonat. Në qoftë se me këtë infuz lyejmë kuajt, atyre nuk iu afrohen mizat.
 
Vetitë dietale dhe fitofarmaceutike të arrës

Arra përmban lëndë yndyrore, të cilat në frutat e thara arrijnë deri në 60 përqind. Ky frutë përmban gjithashtu albumine, karbohidrate dhe sasi të konsiderueshme kripërash minerale, si fosfor, kalium, kalcium, vitaminat C, B, P, A, vajrat eterike dhe lëndë për ngjyrosje.
Lëngu që merret, pas zierjes së gjetheve të arrës, përdoret për pastrimin e gjakut, kundër sëmundjeve të mushkërive, lëkurës dhe syve. Ky lëng është tonik i aparatit tretës dhe përdoret edhe për shërimin ë diarresë (jashtëqitjes).
Lëngu i arrës përgatitet duke marrë 2 – 4 gram gjethe të thërrmuara, lihen për 12 orë në 1.5 mililitër vere të bardhë. Ky lëng pihet njëherësh dhe esëll. Ndërkaq, kundër diarresë përdoret me efekt edhe lëngu i luleve mashkullore të arrës. Për përgatitjen e këtij lëngu nevojiten 5 – 10 gram lule mashkullore, të cilat zihen ne 200 mililitër ujë. Ai lëng pihet, sa herë që paraqitet nevoja, nga një gotë çaji për të rriturit dhe nga një gotë likeri për të vegjlit.
Lëngu i gjetheve të ziera përdoret edhe si ujë për shpëlarjen e pjesëve gjenitale, nëse është paraqitur sëmundja inflamatore e rrugëve gjenitale. Lëngu që përfitohet nga zierja e gjetheve të njoma dhe të freskëta të arrës përdoret edhe për shpëlarje e lëkurës së infektuar. Ky lëng, i cili duhet zier shumë, lufton me sukses qeren, zgjeben, urthin dhe ekzemën. Për këtë merren 60 gram gjethe arre, të cilat zihen për një orë, në gjysmë litër ujë. Me këtë lëng lyhen, herë pas here, pjesët e sëmura të lëkurës. Ky lloj lëngu përdoret edhe për të bërë banjë tonike, pasi ai i jep organizmit freski dhe gjallëri.
Çaji i nga gjethet e arrës rekomandohet edhe për kurimin e plagëve të gojës, kundër infeksioneve të kanalit vaginal, për ruajtjen e butësisë së lëkurës së trupit, sidomos tek fëmijët. Në këto raste, për shpëlarjen e gojës dhe të kanalit vaginal, përdoren 10 – 15 gram gjethe, në një decilitër ujë, duke i shtuar edhe 6 gram acid borik. Për shpëlarjen e trupit dhe të plagëve merren 10 – 15 gram gjethe të thara dhe treten në dy decilitër ujë (duke i shtuar 6 gram acid borik për plagët).
Vaji i arrës ka gjetur përdorim të gjerë për mjaft sëmundje. Ai ka veti antihelmintike (lufton shiritin dhe krimbat që parazitojnë në zorrët tona). Përfundimi është shumë i mirë kur kombinohet edhe me hudhrën. Vaji i arrës përdoret me sukses edhe për kurimin e kallove, tiroideve dhe apceseve, madje edhe të atyre kronike. Për këtë qellim vaji merret përmes gojës, ndërsa për sëmundjet e lëkurës përdoret nga jashtë. Me këtë vaj kurohen të gjitha plagët që mbledhin qelb.
Arrat janë ushqim shumë i mirë për fëmijët, sepse luftojnë aneminë. Në mjekësinë popullore njihen forma të ndryshme të përdorimit të arrave, sidomos kur përzihen me mjaltë, pasi kështu forcojnë shëndetin tek fëmijët por edhe tek të rriturit. Lëngu qe përfitohet nga përzierja e gjetheve dhe e lëvores së jashtme të degëve të arrës, përdoret edhe kundër rënies së flokëve, pasi ato forcojnë rrënjët e qimeve. Për këtë qëllim, merren 30 – 40 gram gjethe dhe lëvore degësh të njoma të arrës, zhyten në një litër ujë dhe zihen për 10 – 15 minuta. Me këtë lëng, i cili duhet te jetë i vakët, shpërlahet koka në darkë. Kjo ndikon gjithashtu edhe në nxirjen e flokëve.
Lëvorja e degëve të arrës rekomandohet edhe për heqjen e kallove. Për këtë qellim këshillohet të merren 20 – 25 gram lëvore të thara ose 60 – 80 gram lëvore të njoma. Ato zihen në gjysmë litri ujë për 40 – 50 minuta. Me këtë lëng bëhet shpëlarja e këmbëve me kallo, për 20 – 30 minuta. Me brumin e lëvores së zier përgatitet kataplazma, e cila vendoset mbi kallo, ku dhe lidhet me fashë. Ky veprim përsëritet 2 – 3 herë ose më shumë, derisa kallot të bien vetvetiu, pa i prere me brisk dhe pa i djegur me kripëra apo acide.