• Sokol Olldashi mbrëmë kaloi matanë. Më 17 dhjetor do të festonte 41 vjetorin. U shua në një rrëpirë, në një aksident tragjik, në rrugën që vetë kishte “ndërtuar” gjatë kohës kur ishte ministër i Transporteve. Siç mund t’i ndodhë gjithkujt nga ne, siç u ka ndodhur rreth 20 mijë shqiptarëve në këto dy dekadat e fundit. Kryefamiljari do t’i mungojë bashkëshortes dhe dy djemve ende të parritur, nënës Kozeta do t’i mungojë djali me të cilin kishte lidhur jetën në Shqipëri, një vend bosh do të jetë në anën e djathtë të Kuvendit, ku qëndron e ulur opozita dhe një zë i pakompromis do t’i mungojë PD-së. Ne do të na mungojë ish-kolegu. E njoha në korrik 1996, kur u bëra pjesë e stafit të gazetës “Albania”. I qeshur dhe i “shkolluar” në ATSH, Sokoli ishte njëra nga ata djem që kishin vuajtur nga regjimi komunist. Pinjoll i një familjeje të nomenklaturës komuniste, që u përndoq nga regjimi në emër të luftës brenda llojit, Koli e kishte kaluar fëmijërinë dhe rininë në internim. Atje te bitumi i Selenicës ku familjarisht ishte internuar, shumë larg nga Durrësi ku kishte lindur dhe nga Tirana, ku nëna e tij Kozeta do të ringrinte jetën pas rënies së sistemit komunist.
Koli ishte një gazetar që besonte verbërisht te e djathta, pa asnjë mëdyshje, ndaj dhe nuk ishte çudi të të shikonte me dyshim pse vije të punoje në një gazetë ngushtësisht të lidhur me ish-presidentin Berisha, kur më parë kishe qenë pjesë e stafit të “Koha Jonë”, gazetës që ishte dhëmb për dhëmb me qeverisjen e demokratëve në atë kohë. Kështu mbeti deri në fund. Me këtë motiv do të largohej nga gazeta asokohe, e cila mbante anën e fraksionit të drejtuar nga Genc Pollo, për të mos e tradhtuar Sali Berishën. Koli ishte një shok i mirë. Kemi ndarë çapën e bukës bashkë. Atë “bukë me shumë vaj”-siç e thumbonte asokohe botuesi Ylli Rakipi. Vite kaluam te tavolinat e bilardos, te pallatet e “Moskateve”, loja që ai e kishte aq për zemër. Në klubet e Tiranës së re, ku i pëlqente të pinte pak si tepër konjakun dhe cigaren që se hiqte asnjëherë nga buza. Ishte një djalë që kërkonte dhe arrinte atë që donte, edhe partneren e jetës. Ishte njëri prej nesh që besoi te bindjet e veta politike dhe u shpërblye. Mori përsipër përgjegjësi të mëdha mbi supe pas ardhjes së Berishës sërish në pushtet.
Ishte ministër i Brendshëm në momentet e vështira, kur qeverisja e djathtë nisi të bëjë arrestojë eksponentët kryesorë të krimit të organizuar, që akuzoheshin për vepra të rënda penale. Më pas në Ministrinë e Transporteve, post që do ta mbante për shumë vite, duke qenë njeriu i besuar i ish-kryeministrit Berisha në financimet kolosale që u bënë për rrjetin rrugor në Shqipëri. Kërkoi të marrë më shumë përgjegjësi pas humbjes së PDsë në zgjedhjet e 23 qershorit. Ngulmoi për një garë të drejtë në konkurrimin e hapur nga Berisha, pas dorëheqjes së tij publike në 29 qershor. Besoi dhe luftoi për të qenë ai lideri i ardhshëm i demokratëve të demoralizuar nga humbja shokuese në zgjedhje. Nuk u tërhoq edhe pse e nuhati se fituesi ishte paracaktuar dhe luftoi deri ditën e fundit për të patur një garë të ndershme dhe të drejtë në partinë ku ai kishte besuar verbërisht prej më se dy dekadash. Humbi, por ishte fituesi moral i asaj gare, duke patur në krah edhe ish-kolegët e tij të medias. Sepse ishte njëri prej nesh, edhe pse prej 8 vitesh me kostumin e zyrtarit të lartë. Muajt më pas treguan se kishte patur të drejtë, se beteja e tij për të patur një parti të fortë opozitare kishte qenë një kauzë politike për ringritjen e opozitës, që ende nuk e ka marrë veten, që ende s’ka bërë analizën e humbjes dhe që ende nuk e ka një kryetar real zyrtar. Humbja e tij fizike është e rëndë për familjen dhe miqtë e tij. Është edhe humbja jonë. E një brezi që kërkonte të jetë protagonist në bindjet e tij. Një humbje shumë e parakohshme. Lamtumirë Koli!
Lamtumirë Koli!
POSTIMI PARAPRAKFutboll: Kroacia do të luajë me Kosovën?
POSTIMI I RADHËSMiratohet Projektligji për Buxhetin, Beqaj falënderon deputetët!
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.