Prishtinë, 19 janar 2019 – Operatorët telefonikë në Kosovë, Vala dhe Ipko, për të tretën herë me radhë nuk kanë arritur t’i përmbahen afatit kohor për largimin e kodeve të huaja telefonike, në mënyrë që të vënë në përdorim vetëm kodin telefonik të Kosovës +383.
Për shkak të pamundësisë për të respektuar afatin kohor të vendosur nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), si institucion përgjegjës për rregullimin e aktiviteteve të komunikimeve elektronike dhe atyre postare, për të dy operatorët, tashmë kanë filluar masat sanksionuese ekonomike.
Më gjithë vërejtjet e ARKEP-it se kodet e huaja ndërkombëtare duhet të largohen deri më 15 janar, operatorët telefonikë kanë kërkuar që ky afat të zgjatet deri në dhjetor të këtij viti, thotë Kreshnik Gashi, kryetar i Bordit të ARKEPI-it. “Operatorët kanë kërkuar fundin e vitit 2019. Megjithatë, ARKEP konsideron se ata kanë pasur kohë të mjaftueshme në dispozicion dhe më gjithë kompleksitetin e procesit të ndërrimit të kodeve, respektivisht zbatimit të kodit të ri që është një proces që ndodh rrallë edhe në vendet e botës. Ne konsiderojmë se plani i migrimit të ARKEP-it, i hartuar në konsultim edhe me operatorët, ka ofruar kohë të mjaftueshme për të zbatuar tanimë pjesët e mbetura të atij plani, përkatësisht për largimin e kodeve të huaja nga përdorimi në Kosovë”, tha Gashi, duke shtuar se ARKEP u kishte tërhequr vërejtjen përfundimtare këtyre operatorëve.
Zyrtarët e operatorëve telefonikë në Prishtinë, japin arsye të ndryshme rreth mospërmbushjes së obligimeve. Arsim Bilalli, zëdhënës në Telekomin e Kosovës, kompani kjo që shfrytëzon kodin e Monakos (+377), tha se, me gjithë përpjekjet për zbatim të këtij projekti, ndër faktorët kryesorë të mosrealizimit të obligimeve, janë kushtet e limituara financiare, me të cilat po ballafaqohet kohët e fundit Telekomi. Por, megjithatë, ai thotë se në praktikë ka kohë që ka filluar së zbatuari kodi +383. “Mungesa e investimeve të duhura teknike, përfshirë këtu edhe mirëmbajtjen e sistemit operativ, që natyrisht ka koston e vet, ka imponuar situatën aktuale. Për më tepër, në telefoninë fikse tashmë veç e kemi të përfunduar së jetësuar kodin shtetëror, ndërsa, sa i përket telefonisë mobile, kanë mbetur edhe detaje të vogla teknike, por të cilat e pamundësuan implementimin e plotë në afatin e dhënë nga ARKEP”, tha Bilalli.
Por, në një vendim të ARKEP-it, thuhet se me gjithë sfidat e paraqitura në këtë proces, problemi financiar në Telekomin e Kosovës, nuk duhet të përbëjë arsye për moszbatim të plotë të kodit shtetëror telefonik. Edhe zyrtarë të telefonisë mobile, Ipko, të cilët shfrytëzojnë kodin e Sllovenisë (+386), thonë se kjo kompani ka filluar zbatimin e kodit +383 në muajin qershor të vitit të kaluar në të dyja rrjetet, atë fiks dhe mobil. Edona Zogu, përgjegjëse për marrëdhënie me publikun në këtë kompani, thotë se identiteti i përdoruesve të telefonisë mobile të Ipko-s është vetëm me 383, përderisa thirrjet ndërkombëtare në hyrje, klientët mund t’i pranojnë në të dyja kodet: 383 edhe në 386. “Ipko, në mënyrë të suksesshme ka ndërmarrë hapat teknik të kalimit nga kodi 386 në 383, por për momentin ende është duke pritur edhe disa operatorë nga vende të ndryshme të botës, të hapin rangun për kodin shtetëror të Kosovës, që t’iu mundësojnë përdoruesve të tyre thirrjet drejt 383. Ipko dëshiron që të gjithë klientët e saj të jenë të qasshëm nga të gjitha vendet e botës, prandaj derisa shumica e operatorëve të bëjnë ndryshimet në sistemet e tyre drejt kodit të ri shtetëror, do ta mbajë të hapur edhe kodin e vjetër”, tha Zogu.
Pavarësisht arsyetimeve, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, për të dy operatorët tashmë kanë filluar masat sanksionuese ekonomike nga 10 mijë euro në muaj. Kreshnik Gashi thotë se në rast se nuk fillon zbatimi i vendimit edhe tre muaj, ARKEP do të shqyrtojë vendimin që gjobat të rriten edhe më tutje.
Kodi shtetëror i Kosovës ishte produkt i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në kuadër të bisedimeve të Brukselit. Kodi shtetëror i është ndarë Kosovës në dhjetor të vitit 2016 nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU). Kurse zbatimi i tij ishte paraparë të niste më 30 qershor të vitit 2018, por ky afat ishte shtyrë për 31 tetor, pas kërkesave të operatorëve të telefonisë mobile dhe fikse Vala dhe Ipko. Aktualisht, në Kosovë ekzistojnë tre operatorë të telefonisë mobile dhe fikse, të cilët shfrytëzojnë kode të huaja ndërkombëtare. Të dhënat e Qeverisë së Kosovës kanë treguar se kostoja e përgjithshme e shkaktuar deri më tani nga mungesa e kodit telefonik ka arritur shifrën në mbi 200 milionë euro, raporton – RFE.
Vala dhe Ipko kërkojnë sërish shtyrjen e zbatimit të kodit +383!
POSTIMI PARAPRAKGreva e mësimdhënësve dhe klasa autobus!
POSTIMI I RADHËSMinistria e merr përsipër trajtimin e vogëlushit nga Blaçi