Tiranë, 30 korrik 2014 – Romani “Darka e gabuar” nga shkrimtari jonë i madh, Ismail Kadare, do të përkthehet edhe në gjuhën polake. Lajmin e ka komunikuar shtëpia botuese “Onufri”, duke potencuar versionin e titullit “Kolacji dla wroga”, që në shqip do të thotë “Darka për armikun”. Përkthyesja e njohur e shqipes në këtë vend, Dorota Horodyska, bëri me dije për botën letrare në Poloni se versionin polak të këtij romani, do ta kenë në duar së shpejti, ndonëse në këto vite kriza i ka rrudhur investimet për përkthime në këtë gjuhë.
Romanin “Darka e gabuar” Kadare e ka shkruar në Malin e Robit (Durrës), Lugano të Zvicrës dhe në Paris, gjatë verës dhe dimrit, 2007-2008. Subjekt në këtë roman është një darkë krejtësisht e pazakontë, me një mjedis mister, i bazuar mbi një ngjarje të vërtetë që ka trazuar vite më parë një qytet të tërë, por që e vërteta e kësaj darke ende ka mbetur e pashpjeguar plotësisht.
Personazhi kryesor, doktor Gurameto i madh, i cili pati studiuar në Gjermani, shtron një darkë për oficerët gjermanë që erdhën nga Greqia, për të marrë nën kontroll Shqipërinë. Doktor Gurametoja i madh, nuk do të jetë kurrë në gjendje t’i sqarojë arsyet e darkës. Ai kthehet në hero për disa e në armik për disa të tjerë. “Darka e gabuar” lidh dy njerëz dhe dy kohë historike. Më një anë doktor Gurameton dhe komandantin e divizionit gjerman, koloneli Fritz von Schwabe, mbajtës i Kryqit të Kuq, në anë tjetër “Shqipërinë gjermanike” me atë komuniste. Kalimi “miqësor” i gjermanëve nazistë në qytetin jugor lidhet me darkën në fjalë që patën dy miqtë e vjetër të shkollës dhe që doli të ishte e “gabuar” sepse përcaktoi kthesën fatale për jetën e personazhit.