Prishtinë, 03 maj 2016 – Një hulumtim që ka bërë Instituti i Medieve i Kosovës (IMK), në bashkëpunim me UBT-në, ka nxjerrë në pah se qytetarët gjithnjë e më shumë po kërkojnë të kenë medie të pavarura dhe profesionale, por që nga ky institut u tha se pavarësia e medieve në Kosovë ende mbetet një iluzion. Këtë e pohoi kreu i IMK-së, Fazli Veliu, i cili bëri një krahasim me politikanët, për të cilët tha se “i dëgjojmë për çdo ditë duke sharë dhe fyer, por që mediet nuk mund ta bëjnë këtë, madje nuk kanë liri as të publikojnë ngjarje të vërteta”.
Në vazhdën e hulumtimeve në fushën e mediale në Kosovë, UBT dhe IMK prezantuan sot hulumtimin “Pavarësia dhe besueshmëria e medieve”, që paraqet fazën e dytë të një hulumtimi më gjithëpërfshirës, pjesa e parë e të cilit është prezantuar vitin e kaluar, ndërsa hulumtimi do të vazhdojë edhe muajt në vijim. Hulumtimi u prezantua në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, ku rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, dhe kreu i IMK-së, Fazli Veliu, paraqitën të gjeturat e raportit, duke thënë se ai paraqet gjendjen aktuale të medieve në Kosovë, me të gjitha specifikat e veta, të nxjerra nga anketimi i 1000 qytetarëve, të të gjitha moshave dhe përgatitjeve profesionale dhe në të gjitha rajonet e Kosovës. Rezultatet e anketimit tregojnë se 72.6% e qytetarëve lexojnë, shikojnë dhe dëgjojnë informacione nga mediet, ndërsa pjesa tjetër (22.9 %) është deklaruar se nuk ka interesim për mediet. Emisionet më të përcjella janë lajmet – 31%, emisionet politike 11%, ato të kulturës 16%, të sportit 20.4%, të muzikës 19% dhe të tjera 31%. Të pyetur se sa iu besojnë medieve kosovare (TV e radio), përgjigjet janë: mesatarisht 59.5 %, pak 25.5%, aspak 8.7%6. Ndërsa medieve online (portaleve e rrjeteve sociale) mesatarisht iu besojnë 48%, pak 33.3% dhe aspak 14.7%.
Sa i përket pyetjes se a besojnë se ka media të pavarura/të lira në Kosovë, përgjigjet janë këto: mesatarisht besoj 44.5%, Po 13.7%, Jo 18.8%, nuk kam përgjigje 23.1%. Ndërsa, kur janë pyetur se cilat medie kanë pavarësi/liri më të lartë, ata kanë përmendur rrjetet sociale (32.7%), televizionet (31.5%), portalet online (22.8%), radiot (11.9%). Ndërsa, kur janë pyetur çka duhet bërë më shumë mediet, që të rritet besueshmëria e qytetarëve kosovarë ndaj tyre, të anketuarit kanë preferuar që mediet te kenë privatësi/ liri të plotë nga subjektet e ndryshme; të jenë profesionale në dhënien e lajmit; të kenë qasje gjithëpërfshirëse, si dhe të ofrojnë më shumë programe edukative kulturore.
Pas prezantimit të raportit, u zhvillua një debat i gjerë lidhur me të gjeturat e raportit, por edhe aspekte të ndryshme të zhvillimit të medies, në kushtet e zhvillimeve teknologjike dhe ndryshimeve rrënjësore që media ka pësuar dhe po pëson çdo ditë e më shumë.
Dita Botërore e Lirisë së Shtypit festohet çdo vit, anë e mbanë botës, me 3 Maj. Ky, sipas Kombeve të Bashkuara, është një rast për të nënvizuar parimet themelore të lirisë së shtypit, si dhe për të vlerësuar lirinë e shtypit anë e mbanë botës, për të mbrojtur mediet nga sulmet ndaj pavarësisë së tyre dhe për të nderuar gazetarët, të cilët kanë humbur jetën duke kryer detyrën e tyre.
Qytetarët duan medie të pavarura dhe profesionale!
POSTIMI PARAPRAKAleksandar Vulin sot qëndron në Gorë të Dragashit!
POSTIMI I RADHËSKosova bëhet anëtarja e 55-të e UEFA-së!
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.