Prizren, 30 tetor 2015 – Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), organizoi sot në Prizren një punëtori për gazetarë, me temën “Përdorimi i Ligjit për Qasje në Dokumentet Publike”, me qëllim që gazetarëve, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe pjesëmarrësve tjerë t’iu ofrohen mundësi për diskutim rreth Ligjit për qasjen në dokumentet publike, si dhe për detyrat dhe përgjegjësitë e zyrtarëve publikë të cilët kanë përgjegjësi në zbatimin e këtij ligji. Në këtë punëtori, gazetarët treguan përvojat e tyre për sfidat rreth qasjes në dokumentet publike, si dhe dhanë rekomandime për zyrtarët relevantë për të përmirësuar qasjen në dokumentet publike për gazetarët.
Në fjalimin hyrës, Zyrtari për media nga OSBE-ja, Arben Hajredinaj, tha se kjo punëtori ka për qëllim prezantimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, si dhe shpalosjen e rasteve studimore, rasteve në procedurë gjyqësore dhe aktgjykimet e rasteve që kanë të bëjnë me mediat dhe kërkesat e tyre për qasje në dokumente publike. Ndërkaq, Furtuna Sheremeti, shefe e Zyrës Ligjore pranë Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, si dhe Gresa Musliu, Koordinatore e projektit, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, shpjeguan detaje nga ky Ligj dhe për obligimet ligjore të institucioneve publike kompetente për ofrimin e qasjes në dokumente publike gazetarëve dhe shoqërisë civile.
Për sfidat dhe vështirësitë e gazetarëve për t’iu qasur dokumenteve publike, foli Vehbi Kajtazi, gazetar hulumtues nga Koha Ditore, i cili përmendi shembuj konkretë nga puna e tij si gazetar hulumtues, duke potencuar disa tema që ndërlidheshin me Prizrenin.
Në panel mori pjesë edhe drejtori i Radio Sharrit, Beqir Beqaj, i cili kërkoi më shumë përgjegjësi nga vetë gazetarët, në rastet kur kërkojnë qasje në këto dokumente, ndërkohë që nga zyrtarët kërkoi më shumë seriozitet, kur janë në pyetje kërkesat që iu parashtrohen nga gazetarët. Beqaj nxori në pah edhe një brengë shtesë, duke paralajmëruar se po tentohet që ligji në fuqi të ndryshohet, edhe pse ai konsiderohet si ndër ligjet më të mira që ka Kosova. “Përderisa ne po diskutojmë se si ta shfrytëzojmë të drejtën që na e mundëson ky ligj për qasje në dokumentet zyrtare, unë kam informacione se ekziston tendenca që po ky ligj të ndryshohet, duke ua vështirësuar edhe më shumë gazetarëve qasjen në dokumente zyrtare. Prandaj, unë ju bëj thirrje që ta mbrojmë ligjin ekzistues, i cili është ndër ligjet më të mira që ka Kosova”, tha Beqaj.
Konferenca u përmbyll me rekomandimet se në të ardhmen do të duhej që gazetarët sa më shumë ta shfrytëzojnë të drejtat që ua garanton ky ligj, në mënyrë që raportet e tyre të jenë më të sakta dhe më të besueshme. Pse jo, shkrimet e tyre të shërbejnë edhe për t’i parandaluar veprimet e mundshme negative të zytrëve dhe institucioneve kosovare.
• Kronika – TV OPINION