Kryetari i Komunës dhe kryesuesja e Kuvendit urojnë Vitin e ri shkollor!

Dragash, 01 shtator 2025 – Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, i ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për një vit të mbarë dhe të suksesshëm shkollor.
“Të nderuar nxënës, prindër dhe staf arsimor, kam kënaqësinë t’ju drejtohem me urimet më të sinqerta për një vit të mbarë, të suksesshëm dhe të mbushur me dije, përparim dhe arritje të reja! Mirëseardhje të veçantë iu dëshiroj vogëlushëve që për herë të parë nisin rrugëtimin e tyre drejt dijes, si një hap i rëndësishëm jetësor. Falenderim nga zemra për mësimdhënësit tanë që me përkushtim e profesionalizëm angazhohen për të ardhmen e brezave të rinj, si dhe për prindërit që qëndrojnë gjithmonë në krah të fëmijëve dhe bashkëpunojnë ngushtë me institucionet arsimore. Arsimi është themeli i çdo shoqërie të zhvilluar dhe të qëndrueshme. Ne si Komunë, jemi të përkushtuar që të vazhdojmë të investojmë në përmirësimin e infrastrukturës shkollore, të mbështesim mësimdhënësit dhe të krijojmë një ambient të sigurt, të shëndetshëm dhe motivues për të gjithë nxënësit tanë”, ka thënë mes tjerash në urimin e tij Xheladini, duke uruar mbarësi, shëndet, suksese dhe plot arritje.

Nga ana tjetër, kryesuesja e Kuvendit, Arieta Skeraj, duke e falënderuar kryetarin për, siç është shprehur, kujdesin ndaj nxënësve, të cilëve iu ka siguruar transportin falas, ka thënë se kujdesi ndaj nxënësve nënkupton kujdes për ardhmërinë.
“Arsimi është gurthemel i çdo shoqërie dhe vlerë që mbetet brez pas brezi. Sot, në fillim të këtij viti shkollor, në emrin tim personal dhe të Kuvendit të Dragashit, shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontributin e tyre në arsim – mësimdhënës, drejtorë, punëtorë, prindër dhe vetë nxënësit që, me përkushtimin e tyre, e bëjnë shkollën vendin më të shenjtë të dijes. Uroj që ky vit të sjellë dije, përparim dhe frymëzim të ri për secilin, sepse e ardhmja jonë ndërtohet mbi bankat e shkollës. Mos harroni… Kur kujdesesh për nxënësit, kujdesesh për të ardhmen e komunës. Falenderim për kryetarin, Bexhet Xheladini, i cili ka siguruar transportin pa pagesë për të gjithë nxënësit e Dragashit”, thuhet në urimin e kryesueses, Arieta Skeraj.