Prishtinë, 09 dhjetor 2014 – Pas gjashtë muajsh, që kur u zhvilluan zgjedhjet parlamentare në Kosovë, me 73 vota për, 38 kundër dhe dy abstenime, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur qeverinë e re, me kryeministër Isa Mustafën.
Mustafa u lind më 15 maj 1951 në fshatin Prapashticë të Prishtinës. Arritjen më të madhe në karrierën e tij politike, Mustafa e shënoi kur e zëvendësoi Fatmir Sejdiun, si kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Karta e fortë e triumfit të zgjedhjes së tij në krye të LDK-së, më 7 nëntor 2010, ishte pikërisht kritika kundër koalicionit të atëhershëm qeveritar, PDK-LDK.
Ekonomistit që e qeverisi për dy mandate rresht kryeqytetin e Kosovës, tashmë i është besuar qeverisja e tërë Kosovës. Mustafa është diplomuar në Fakultetin Ekonomik, në Prishtinë, ku ka marrë titullin Doktor në fushën e Lidershipit të Bizneseve. Karriera e tij e ka vënë shpesh në pozicione drejtuese, me karakter ekonomik, që kur ishte drejtor i Entit për Plan dhe Zhvillim të Kosovës e deri tek ai i ministrit të Ekonomisë dhe Financave të Kosovës, në vitet 1991-1999.
Në periudhën 1990-1999, pas shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, Mustafa është ndjekur nga regjimi serb dhe kjo ka bërë që ai të qëndrojë jashtë Kosovës, kryesisht në Gjermani, Zvicër, Shqipëri, Slloveni dhe Kroaci. Ai ka qenë ministër i parë i Ekonomisë dhe Financave në qeverinë e Republikës së Kosovës, e cila vepronte në mërgim, e që udhëhiqej nga Bujar Bukoshi.
Rikthehet në politikë në vitin 2006, si këshilltar i lartë politik i presidentit të Kosovës, Famtir Sejdiu, ndërsa një vit më pas i fiton zgjedhjet për kryetar të komunës së Prishtinës, të cilën e qeverisi për dy mandate, për ta humbur në zgjedhjet lokale të vitit 2013, përballë Shpend Ahmetit nga Vetëvendosja.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, partia e tij u rendit e dyta dhe, pas një vere të gjatë politike, u bashkua me koalicionin post-zgjedhor të opozitës, ku iu dha posti i kryetarit të Kuvendit, por që ky post iu anulua nga Gjykata Kushtetuese. Tashmë, Mustafa u bë kryeministër, në sajë të aleancës që lidhi me rivalin e tij më të madh, Hashim Thaçin. Kjo është hera e parë që LDK-ja do ta udhëheq Qeverinë, që nga përfundimi i luftës në Kosovë.
Isa Mustafa, kryeministër – Ky është profili i tij!
POSTIMI PARAPRAKFatmir Mehmeti: “Megjithatë, ditë të mira po vijnë”
POSTIMI I RADHËSNë doganën e Vërmicës kapen armë e municion!
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.