Bajrami: “EULEX-i është i korruptuar, sikurse gjykatësit tanë”


agron_bajrami_fonetPrishtinë, 23 nëntor 2014 – Kryeredaktori i Kohës Ditore, Agron Bajrami, ka deklaruar për agjencinë më prestigjioze në Beograd “FoNet” se hetuesi i pavarur, Jean Paul Jacques, nuk do t’i hetojë pohimet për korrupsion në EULEX, por vetëm nëse misioni i BE-së në Kosovë e ka ndjekur procedurën, me rastin e suspendimit të prokurores, Maria Bamieh dhe, nëse ky mision ka vepruar drejt kur ka suspenduar tre persona nga kreu i EULEX-it, të cilët përmenden në lidhje me korrupsionin. “Nëse ka pasur, duhet dënimi”, ka thënë Bajrami, duke vlerësuar se EULEX duhet të mendojë se, përse edhe pas gjashtë vjetësh pune në Kosovë flitet për mosefikasitet të misionit të BE-së. “Kjo me korrupsionin është, vetëm maja e Aajsbergut, pikë kjo që shihet vetëm pse është dramatike sepse nuk kemi pritur ta shohim. Por, pas kësaj pike janë edhe 1000 të tjera. EULEX-i se ka vendosur qetësinë e rendin dhe as sundimin e ligjit, edhe pse ka ardhur me idenë që të ndihmojë që Kosova të bëhet shtet, në të cilin do të sundonte ligji. Pas gjashtë vjetësh, Kosova nuk është e tillë. Nëse i pyesni, ata e kanë statistikën e rasteve të proceduara dhe të kriminelëve të dënuar. Por, në këtë raste, për shembull, njeriu i akuzuar për mashtrime milionëshe, është dënuar nga një pikë e vogël e aktakuzës, me vetëm gjashtë muaj burg”, potencon Bajrami.
Kur erdhi EULEX-i, ekzistonte ideja se misioni do të jetë shumë efikas në ndihmën për policinë, gjyqësinë e doganat, përkujton Bajrami dhe tregon se, ndërmjet këtyre tri gjërave më të rëndësishmet, kanë qenë gjyqësia e policia, sepse ato bëjnë sundimin e ligjit. “Në këtë drejtim, nuk kanë punuar asgjë. Pasoja, pse EULEX nuk ka qenë i suksesshëm, është shumë më e madhe për Kosovën, por edhe për gjithë rajonin, se sa pasojë e mossuksesit të misionit civil të KB-së (UNMIK) në këtë segment. Nuk është çështje, nëse një palë prokurorë e gjykatës kanë qenë të korruptuar, por pse gjithë misioni, me gjithë ato miliona që jepen për të, për gjashtë vjet nuk e ka arritur efektin e pritur”, ka sqaruar Bajrami.
Ai ka thënë se njerëzit kanë shpresuar se EULEX do të ndreq shumëçka që ka qenë “e shtrembër” që nga koha e UNMIK-ut dhe më herët, por këtë se ka bërë. “EULEX kishte thënë se do t’i ndjekë ‘peshqit e mëdhenj’, politikanë të njohur që janë përfshirë në krim, por kjo nuk ka ndodhur. Kur flitet për korrupsionin, bëhet fjalë për para tepër të shumta, të lidhur me njerëzit e pushtetit, me pronarët e mëdhenj të politikës e të biznesit. Aty, ndoshta, EULEX as që ka guxuar të hyjë”, ka thënë Bajrami, duke përkujtuar se, vetëm pasi Koha Ditore ka publikuar pohimet për korrupsion, EULEX ka kumtuar se, që nga vjet ka filluar hetimet për të. “Në Parlamentin dhe në Komisionin Evropian, janë të befasuar. Thonë se, vetëm tash kanë dëgjuar se EULEX, që një vit po heton”, thotë Bajrami, i cili shpreson se kjo është e vërtetë dhe se hetimet do të përfundojnë sa më shpejt.
Ai, me këtë rast ka thënë se nuk ka më kredibilitet të EULEX-it dhe as besim në këtë mision, i cili është dashur të siguronte paqen dhe sundimin e ligjit në Kosovë. “Njerëzit, pas këtij skandali, nuk i besojnë EULEX-it se do të mund të bëjë ndonjë gjë. Njerëzit besojnë se EULEX është i njëjtë, sikur dhe të gjithë gjykatësit tanë – i korruptuar, i frikësuar të hetojë raste të mëdha, në të cilat duhet të ballafaqohet me ministra e me politikanë të fuqishëm”, konstaton Bajrami, për të shtuar se Koha Ditore ka arritur tek shënimet e brendshme të EULEX-it, për dyshimet se disa gjykatës e prokurorë kanë marrë para për t’i liruar kriminelët. “Ne nuk jemi gjyq, ne nuk shqiptojmë aktgjykime, por ne kemi informuar dhe kjo EULEX-it s’i ka pëlqyer”, ka thënë ndër të tjerash Bajrami për FoNet, të cilin e transmeton Koha.


 

Leave a Reply