Nga: Trëndelina Terziu – Omuri
Këshilli i Qarkut Kukës, me propozimin e Klubit letrar “Anton Pashku” të Kukësit, vlerësoi këto ditë personalitetin e njohur, Veton Surroi, me titullin e lartë “Nderi i Qarkut Kukës”, me motivin “Për kontribut të veçantë në fushën mediale dhe politike gjatë krizës së vitit 1999 dhe shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”
Në propozimin e Klubit letrar “Anton Pashku”, vihet në dukje se Veton Surroi, gazetar dhe analist, si dhe politikan dhe filozof, është njëri prej intelektualëve më të shquar të kohës sonë, i cili vazhdon të kontribuojë në fushën mediale dhe të mendimit politik shqiptar. Ai ishte njëri prej anëtarëve të rëndësishëm firmosës nga delegacioni historik i Rambujesë (Francë), kur fuqitë e mëdha, SHBA dhe Bashkimi Evropian, vendosën për të ardhmen e Kosovës, duke e shpëtuar nga gjenocidi serb popullin shqiptar të Kosovës. Ndërsa, në vitet 2005 – 2008, ka qenë anëtar i udhëheqjes së delegacionit të Kosovës në negociatat e Vjenës, për pavarësinë e Kosovës.
Zoti Surroi ka një kontribut të çmuar në politikën e Kosovës së pasluftës me angazhimet politike, si themelues i partisë reformiste “Ora”, si dhe me ndërmarrjet mediale e të fuqishme audiovizive, në shërbim të ndërtimit dhe të konsolidimit të shtetit të Kosovës.
Veton Surroi shquhet për analizat e filozofisë politike, për vizonin e qartë për ardhmërinë e shqiptarëve. Ka themeluar revistën “Koha” më 1990, e cila në vitin 1997 u transformua në gazetën e parë të pavarur dhe të përditshme në Kosovë “Koha ditore”. Më vonë, ai themeloi edhe stacionin televiziv KTV. Ka botuar librat “Fluturimi i fundit i Azem Berishës për në Kështjellë”, “Libri i fluturave”, “Miliarderi” dhe “Këmbët e gjarprit”, një analizë e aktualitetit politik dhe filozofisë politike të Kosovës.
Veton Surroi është biri i shqiptarit të njohur, Rexhai Surroi, dhe vjen nga një familje me origjinë nga Kukësi, përkatësisht nga Surroi.
Fjala e Veton Surroit në ceremoninë e rastit
Nuk jam ndier edhe i nderuar edhe i emocionuar, sa ndihem sot. Kam marrë shpërblime në botë, por ky shpërblim për mua ka një domethënie të veçantë dhe në një ditë të veçantë.
E mendoja gjatë kohës kur do nisesha për këtu, për të marrë këtë shpërblim, gjatë këtij rrugëtimi, i cili është sot i shpejtë dhe, në atë kohë, në ato ditë të para gjashtëmbëdhjetë vjetësh ka qenë një kalvar. Në të vërtetë, çka është ajo simbolikë që do të mbajmë mend, çka unë dua që ju të mbani mend në këtë ditë.
Asociacioni i parë që më lind, është se marr shpërblimin nga kryetari i Qarkut, i quajtur Ibsen dhe, nuk ka simbolikë më të madhe se të hysh në letërsi, të thuash ashtu, edhe në Kukës, edhe në këtë ditë, edhe me atë simbolikë. Por, dua ta vazhdoj sepse Kukësi për ne, për atë anë të kufirit ka qenë kufi. Edhe asociacioni është ai i kufirit.
Petrit Palushi, në “Këpucët e Kaltrinës” ka përshkruar nocionin e kufirit në veprën e tij, në roman, se si nga lumi, liqeni, vinin tapa, të cilat shndërroheshin në këpucë. Janë pjesë të tërësisë, të cilat s’mund të komunikojnë, pos me tapa, të cilat pastaj mblidhen e shndërrohen në këpucë. Është simbolikë e një ecjakeje të ndërprerë të një vendi. Kemi natyrisht simbolikën e madhe, më 27 mars të vitit 1999, në orën 13:00 të mesditës, kur kufiri ka domethënien e shpëtimit. Kur kufiri shndërrohet në jetë, kur dallimi mes jetës e vdekjes është momenti i kalimit të kufirit dhe ku në një moment ngrihet vetëdija e një kombi, jo me organizimin e një shteti, jo me funksionimin e organizatave ndërkombëtare, por një qytet i tërë, një komb i tërë i ngritur në këmbë për të shpëtuar pjesën tjetër të kombit. Sepse, në orën 13:30 të mesditës nuk mund të organizohej një shtet i tërë për të pranuar aq njerëz sa do të hynin në këtë vend.
Këtë mund ta bënte vetëm vetëdija e këtij populli, e këtyre njerëzve, të cilët dëshmuan në atë moment se kishin kaluar kufirin e së kaluarës, se kishin kaluar në ardhmëri dhe se ajo ardhmëri do të jetë e përbashkët.
Ky është kufi, i cili ende mban me vete, në kujtesën e njerëzve, momentin kur është varë një poet. Në këtë vend, në vitin 1988, një vjet e diçka para se të binte Muri i Berlinit, ky ishte kufiri i barbarisë, moment kur njeriu, i cili do shprehej me lirinë e vet do të varej në mes të qytetit, si ndëshkim ndaj mendimit të lirë dhe fjalës së lirë.
Ky është kufi, i cili si çdo kufi tjetër i tregon ato vijat e veta të holla të historisë. Për shembull, te miku ynë, Xhevahir Kolgjini, është edhe Xhevahir, edhe Kolë, edhe Gjini. I ka të tre kufijtë në emrin e tij. E ka tërësinë të integruar.
• Shiko pamjet VIDEO