Dështon sërish zgjedhja e nënkryetarit për minoritetet!

kuvendi dragash minoritetetDragash, 30 qershor 2015 – Edhe pse ka kaluar, pothuajse gjysma e mandatit të pushtetit aktual në Dragash, edhe sot ka dështuar të zgjidhet nënkryetari i Komunës për komunitetet pakicë. Kjo, sepse tetë këshilltarët nga treva e Gorës nuk po arrijnë të merren vesh se kush të nominohet për këtë post, e që më pas kryetari i Komunës, Salim Jenuzi, ta propozojë para këshilltarëve në Kuvendin e Komunës së Dragashit.
Në mbledhjen e sotme të Kuvendit ishte paraparë me rend dite që të zgjidhet nënkryetari për komunitetet pakicë, por në çastin e fundit ka dështuar kjo, pasi këto komunitete nuk i janë përmbajtur një marrëveshjeje që kishin pasur paraprakisht, e që përmes Komitetit komunal për Komunitete i kanë propozuar kryetarit Jenuzi që ta fusë në rend dite edhe këtë procedurë. Në tentimin e fundit, menjëherë pas konstituimit të pushtetit që doli nga zgjedhjet lokale, këshilltarët minoritarë kishin propozuar dy emra dhe, gjatë votimit rezultati ishte 4 me 4.
Që atëherë, kryetari Jenuzi ka mbetur në pritje të një ujdie të partive minoritare, duke iu premtuar se, po u morën vesh mes vete, do të thirr edhe mbledhje të jashtëzakonshme për ta jetësuar propozimin e tyre, por deri më tani nuk u morën vesh partitë nga Gora.
Kryetari Jenuzi kishte marrë kërkesën për ta futur në rend dite, por sot ishte njoftuar se minoritarët nuk i kanë mbetur besnik asaj marrëveshje që kishin arritur në takimin e Komitetit për Komunitete, duke kërkuar që ai emër nga kjo marrëveshje, për të cilin Radio Sharri ka kuptuar se bëhet fjalë për Nuhia Tairovcin, të mos propozohet. Kryetarit Jenuzi nuk i mbeti zgjidhje tjetër, pos të deklaroj sot para këshilltarëve se nuk ka asnjë propozim nga minoritarët dhe kjo pikë të shtyhet, deri kur të arrihet marrëveshja mes partive nga Gora.