Vazhdon gjykimi ndaj Ramadan Mujës – Krasniqi: “Jam i pafajshëm”

ramadan muja minir krasniqiPrizren, 17 dhjetor 2013 – Drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit, Minir Krasniqi, ka deklaruar sot se është i pafajshëm në të gjitha akuzat që ka ngritur EULEX-i kundër tij. “Jam i pafajshëm”, ka thënë Krasniqi me bindje të plotë. Megjithatë, Prokuroria e EULEX-it, Krasniqin e rëndon me dy akuza; atë për blerjen e një prone, e cila është në kontest gjyqësor, si dhe për vendimin që t’i jepet në shfrytëzim shkollës “Mehmet Akif”. Avokati mbrojtës i Krasniqit, Pjetër Pëgjoka, ka paraqitur prova të reja, të cilat e shfajësojnë klientin e tij. Sipas palës mbrojtëse, procesi është drejt përfundimit dhe pritet të përmbyllet, deri në fund të muajit janar të vitit të ardhshëm.
Gjykimi kundër kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja, si dhe pesë drejtorëve komunalë, do të vazhdojë më 19 nëntor. Në këtë seancë do të merret në pyetje edhe i dyshuari i fundit i këtij procesi gjyqësorë, ish-drejtori i Kadastrës, Kadri Ukimeri.
Prokuroria e EULEX-it, i ngarkon kryetarin e Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, drejtorin e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Sadik Paçarizin, ish-ushtruesin e detyrës së drejtorit të Gjeodezisë dhe Kadastrës, Avni Ademajn, ish-drejtorin e Gjeodezisë dhe Kadastrës, Kadri Ukimerin, drejtorin aktual të Gjeodezisë dhe Kadastrës, Abdullah Tejecin, si dhe drejtorin e Administratës komunale, Minir Krasniqin, për kryerjen e veprave penale gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Leave a Reply