Shpërthen kaldaja – Vdes punëtori i shkollës!

eksplodimi-ne-shkolleMalishevë, 05 dhjetor 2014 – Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Ibrahim Mazreku” në Malishevë, ka ndodhur një shpërthim, i cili i mori jetën një punëtori teknik. Drejtori i kësaj shkolle, Januz Mazreku, njoftoi se punëtori kishte shkuar rreth orës 07:00 që të bëjë përgatitjet për fillimin e ngrohjes në objektin shkollor dhe, në rrethana ende të pasqaruara, ka shpërthyer kaldaja. Vdekjen e punëtorit e ka konfirmuar edhe drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Malishevë, Besim Zogaj. Në njoftimin që ka dhënë Komuna e Malishevës, mësohet se jetën e ka humbur, Zymer B. Hoti (1971) nga Malisheva, punëtor teknik në këtë shkollë. Menjëherë në vendngjarje kanë dalë Policia e Kosovës dhe ekipet e shpëtimit, si dhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, nënkryetari Rexhep Mazreku, drejtori i arsimit Blerim Thaçi, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim Ahmet Morina, si dhe zyrtarë të tjerë të kësaj komune.
Kryetari i Komunës së Malishevës i ka shprehur ngushëllime familjes Hoti, ndërsa këtë rast e quajti si një ngjarje e rëndë dhe tronditëse për të gjithë banorët e Malishevës. Organet e rendit ndërkaq, ende po merren me rastin, ndërsa mësimi është ndërprerë përkohësisht në këtë shkollë.

Leave a Reply