Shala mbetet pehlivani më i mirë në garën e Dragashit!

gara e pehlivaneve dragashDragash, 19 korrik 2015 – Sot janë zhvilluar garat tradicionale të pehlivanëve në Dragash, të cilat organizohen për nder të Ditës së Çlirimit të kësaj komune. Para qindra shikuesve, në garat e organizuara nga Komuna e Dragashit, në bashkëpunim me Federatën e Mundjes të Kosovës, për të tretën herë radhazi, mundësi nga Suhareka, Egzon Shala, ka fituar vendin e parë, në një garë tejet të fortë me garues nga Bullgaria, Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova.
Në duelin e fundit me mundësin më të fortë që kishte ardhur nga Bullgaria, ky i fundit ia pranoi Shalës fitoren, pas shumë orvatjesh për ta mposhtur por që nuk ia doli. Pikërisht ky duel ishte ai që më së shumti zgjoi kërshërinë e të pranishmëve në stadiumin e qytezës së Dragashit. Pas fitores, Egzon Shala u shpreh i gëzuar për suksesin e arritur, duke shtuar se fitoren e kishte pritur. “Edhe po të mos dorëzohej pehlivani bullgar, do të humbte gjithsesi. Isha përgatitur për këtë garë dhe, assesi nuk ka mundur të ndodhte ndryshe”, tha Shala për Radio Sharrin.
Në kategorinë e dytë, Edon Shala, nga Prizreni është shpallur mundësi më i mirë, ndërsa në kategoritë më të reja, të pamposhtur ishin vëllezërit, Elvis, Veli dhe Vullnet Susuri, nga Prizreni. Në hapjen e kësaj gare, kryetari i Dragashit, Salim Jenuzi, tha se ky aktivitet tradicional është dashur të mbahej më 15 qershor, në kuadër të manifestimeve për Ditën e Çlirimit të Dragashit, mirëpo ato janë shtyrë për sot, për shkak të pjesëmarrjes së mundësve dhe disa zyrtarëve të Federatës në Lojërat e para Evropiane, të cilat u mbajtën në Azerbajxhan.

Leave a Reply