Prokurori këmbëngul në dënim për kryetarin e Dragashit!

gjykimi jenuzi rifajPrizren, 19 janar 2015 – Në gjykimin e kryetarit të Dragashit, Salim Jenuzi, si dhe ish-kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Dragashit, Lulzim Rifaj, të cilët nga prokurori i shteti po akuzohen për shpërdorim të detyrës zyrtare, sot u dha fjala përfundimtare e prokurorisë dhe mbrojtjes.
Prokurori i Shtetit, Mehdi Sefa, tha se, duke u bazuar në dëshmitë e dëshmitarëve dhe provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, është vërtetuar pa mëdyshje se të akuzuarit i kanë kryer veprat penale për të cilat po akuzohen. “Tregohet këmbëngulësia e këtyre zyrtarëve që të bartet prona shoqërore, me çdo kusht, në emër të komunës së Dragashit, pa i përfillur ligjet, aktgjykimin, shkresën e ministrit të Pushtetit Lokal, duke i shkaktuar dëm ‘Sharr-Prodhimit’ në Dragash, punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje bujqësore dhe AKP-së”, tha Sefa, duke i propozuar trupit gjykues që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Madje, Sefa pati edhe porosi për këtë trup, duke thënë se dënimi ndaj dy të akuzuarve të shërbej si shembull për të tjerët, transmeton portali Kallxo.
“Me rastin e marrjes dhe shqiptimit të dënimit, qoftë nëse ai do të jetë minimal, ky dënim duhet të ketë edhe efekt parandalues që edhe në komunat tjera të Kosovës të mos veprohet ngjashëm, duke ndërhyrë njëanshëm në kompetencat e organeve tjera, qofshin ato gjyqësore, apo edhe në kompetencat e Agjencisë Kosovare të Privatizimit”, tha prokurori. Ndërkaq, përfaqësuesi i AKP-së, Fahredin Purova, e mbështeti në tërësi fjalën përfundimtare të prokurorit, duke paralajmëruar se AKP-ja do të parashtrojë edhe kërkesën pasuroro-juridike.
Nga ana tjetër, në fjalën e tij përfundimtare, mbrojtësi i të akuzuarit Jenuzi, Ruzhdi Berisha, i paraqiti gjykatës fakte, dëshmi dhe prova, për të cilat tha se e lirojnë klientin e tij nga përgjegjësia. Ai kërkoi që këto fakte të merren parasysh, gjatë marrjes së vendimit. “E nderuara kryetare, të nderuar anëtarë të Trupit gjykues, nga e gjithë ajo që u tha më sipër, pa mëdyshje rezulton se i akuzuari, Salim Jenuzi, nuk e ka kryer veprën penale për të cilën po akuzohet. Andaj, për ne nuk ka mënyrë tjetër të vendosjes, përpos bazimit në nenit 364, paragrafi 3 i Kodit të Procedurës Penale, përmes të cilës bazë klienti im duhet të lirohet nga akuza”, tha Berisha, me fjalën e të cilit u pajtua edhe i akuzuari, Salim Jenuzi. “Unë pajtohem plotësisht me fjalën e avokatit tim dhe nuk kam çka të shtoj”, tha shkurt Jenuzi. Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Rifaj, Fatmir Jëlliqi, tha se në këtë rast nuk bëhet fjalë as për kundërvajtje, e lëre më me vepër penale. “As që bëhet fjalë për ndonjë shkelje ligjore. Për më tepër, nuk bëhet fjalë as për ndonjë element kundërvajtjeje. E gjithë kjo çështje që u ndërmor, konsideroj se i përket vetëm procedurave administrative”, tha Jëlliqi. Më këtë konstatim u pajtua edhe klienti i tij Rifaj, i cili aktualisht është konsull i Kosovës në Sofje. “Mbetem në tërësi pranë fjalës së mbrojtësit tim dhe deklarohem edhe njëherë para kësaj gjykate, se nuk e ndiej veten fajtor për këtë që më ngarkohet dhe mendoj që jam i pafajshëm dhe pres prej trupit gjykues që të më shpallë të pafajshëm dhe të hedhë poshtë aktakuzën e pabazë të prokurorit të shtetit”, tha Rifaj.
Jenuzi dhe Rifaj akuzohen se pronën e ndërmarrjes shoqërore “Sharr-Prodhimi” e bartën në pronësi të komunës. Jenuzi akuzohet se këtë pronë ua dha në shfrytëzim, pa ndonjë bazë juridike blegtorëve. Ndërkaq, Rifaj ngarkohet se, si kryesues i Kuvendit të Komunës së Dragashit, vuri në rend dite këtë bartje të pronës shoqërore, duke i bindur këshilltarët e kuvendit që ta votojnë propozimin, edhe pse e dinte se një veprim i tillë është në kundërshtim me ligjet në fuqi, pasi menaxhimi i pronës shoqërore, me ligj i përket AKP-së. Seanca e shpalljes së aktgjykimit të këtij rasti do të bëhet më 22 janar 2015.

Leave a Reply