Për gjendjen në rrugët e Dragashit, raporton kryetari (Video)

rruga bora dragashDragash, 30 dhjetor 2014 – Kryetari i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, sot ka raportuar para këshilltarëve të Kuvendit, përkitazi me gjendjen aktuale në rrugët e kësaj komune, pas vështirësive që janë krijuar me reshjet e fundit të borës. Që në fillim, Jenuzi tha se duhet të jemi të përgatitur dhe ta kuptojmë se jetojmë në Dragash, ku dimrat janë të ashpër. Madje, paksa me humor, Jenuzi tha se “dimër ka edhe në sallën e Kuvendit” ku të gjithë këshilltarët ishin mbërthyer me pallto, sikur të ishin jashtë. “Dimër kemi edhe këtu, prandaj jemi veshur kaq shumë. Ndërkaq, sa i përket rrugëve, probleme kemi vetëm në rrugën e fshatit Baçkë, por që sot kemi intervenuar me një traktor, pasi për kamionin është rrezik kjo rrugë”, tha Jenuzi, duke potencuar se në këtë fshat aktualisht jetojnë vetëm 9 banorë.
Jenuzi ka përmendur edhe problemin në rrugën e Restelicës, nga tuneli e deri në brendi të fshatit. “Edhe për këtë rrugë është gjetur një zgjidhje, ku kompania që është e kontraktuar për mirëmbajtjen e rrugëve rajonale, ka angazhuar një banor nga ky fshat, i cili do ta mirëmbajë këtë aks me traktor, për shkak të konfiguracionit në terren. Ndërkaq, në fshatin Kërstec, problem kanë qenë automjetet e parkuara në rrugë, duke pamundësuar depërtimin e borëpastruesit”, tha Jenuzi, duke u zotuar se Komuna do të përkujdeset edhe më shumë, pasi këtë vit është e përgatitur dhe ka 3 kamionë në dispozicion.

Kliko këtu për VIDEO

Leave a Reply