EKSKLUZIVE: Serbja që uroi shqiptarët, në ditën e flamurit!

brankica mandiq shkabaBeograd, 24 dhjetor 2014 – Se marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve nuk janë aq të ashpra, sa na i prezantojnë politikanët dhe mediat, dëshmon edhe gjesti i një serbeje të re, e cila i ka përshëndetur të gjithë shqiptarët, në ditën e flamurit kombëtar shqiptar.
Brankica Mandiq (30), një femër e shkolluar dhe e emancipuar në frymën evropiane, më 28 nëntor është fotografuar në Beograd, duke i gërshetuar duart në formë të shkabës, në shenjë përgëzimi për të gjithë shqiptarët, në festën më domethënëse për këta të fundit.
E lindur në Knin të Kroacisë, lufta atje e kishte sjellë në afërsi të Beogradit, ku edhe sot jeton dhe vepron. “Mund të them se 80% të jetës e kam kaluar në Serbi, pasi në kohën kur ne na solli lufta këtu, isha e vogël. Sot jam rehat dhe, mbahem në frymën evropiane, pasi e di që të gjithë popujt janë njësoj dhe e di se vetëm një jetë kemi. Prandaj, unë kam shumë miq nga popuj të ndryshëm, në mesin e tyre edhe shqiptarë”, thot Brankica, ekskluzivisht për Radio SHARRI-n, duke shtuar se kjo miqësi edhe me shqiptarët e ka bërë që ta njoh mjaftueshëm gjuhën shqipe. “Jo vetëm që e kuptoj mirë, por në masë të mjaftueshme edhe e flasë gjuhën shqipe, sepse më pëlqen si gjuhë”, thotë e reja serbe, Brankica Mandiq.