• Kërkimi i Shpejtë •

• Lidhjet Direkte •

kpm_radio_sharri

komuna_dragash_radio_sharri

• Publicitet •

ambienti_radio_sharri_dragash

grill_sharri_radio

kolloni_radio_sharri

• Publicitet •

ilva_radio_sharri_dragash

• Publicitet •

publicitet_nje_radio_sharri

• Publicitet •

libri_radio_sharri

• Publicitet •

kufje_radio_sharri

• Dita e FLAMURIT •

edhe:
Gëzuar!
connect_radio_sharri_tring
e Mërkurë, 15 Shkurt 2012 23:19

bedri_halimi_2
Bedri HALIMI - Kryeinspektor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës
 
PATURPËSIA SERBO – MAQEDONE!
 
Të gjitha përpjekjeve të turpshme serbo-maqedone, ju përgjigjen të afërmit e Amsera Rekës, duke filluar nga daja, Sinan Balje, e deri te hoxha i fshatit Restelicë, Shaban Haxhia, të cilët ua rikujtuan si qarqeve maqedone ashtu edhe atyre serbe, duke thënë qe “ne e kemi shtetin i cili na ndihmon në çdo moment“. Njëkohësisht duke e porositur Tadiqin, që ta shikojë hartën e Kosovës, sepse si duket, Tadiqi e ka harruar që Restelica gjendet në Gorë, e Gora gjendet në Kosovë.
 
Me rastin e ngjarjes tragjike të fshatit Restelicë, ku nga orteku i borës humbën jetën 10 anëtarë të familjes Reka, i gjithë opinioni, jo vetëm në Kosovë, por kudo në trojet shqiptare, ndjeu keqardhje dhe dhembje të madhe njëkohësisht. Kjo u vërejt, edhe nga mediat e shkruara dhe ato elektronike, si dhe nga përkujdesi maksimal institucional nga institucionet e Republikës së Kosovës, lidhur me këtë ngjarje tragjike. Kështu, pos angazhimit tashmë të njohur të FSK-së dhe qytetarëve të shumtë nga treva e Gorës, Opojës por edhe Prizrenit, ky rast e mobilizoi ndërgjegjen kombëtare të shumë njerëzve edhe jashtë komunës së Sharrit. Shumë të rinj, si nga Prizreni, Rahoveci etj. shprehen gatishmëri për të marrë pjesë fizikisht në aksionin për t’i gjetur viktimat. Disa nga këta, madje shprehen gatishmërinë që të merrnin pjesë edhe me makinerinë e tyre.
Qeveria e Kosovës, që nga dita e parë, ishte e pranishme në vendngjarje, ku nuk mungoi madje as vet kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk qëndroi indiferente, duke e vizituar në spital vogëlushen e shpëtuar, Amsera Reka. Gjithashtu duhet potencuar aktivitetin dhe prezencën e vazhdueshme të udhëheqjes komunale të Sharrit.
 
Klithmat e Orhan Dragashit, në emër të njëfarë “Iniciative qytetare gorane”
 
Mirëpo, për çudi të të gjithëve, gjatë kohës që po bëhej kërkimi i të humburve, mu në vlugun e këtij kërkimi nga FSK-ja, dikush doli që të lëshoj deklarata të turpshme dhe madje monstruoze, për të përfituar politikisht edhe në raste të tragjedisë së tillë, siç ishte ky rast. Kështu njëfarë ”Iniciative qytetare gorane” lansoi një deklaratë, përmes së cilës kërkonte ndihmë nga Serbia “që të përkujdesej për qytetarët e vet”. Në Kosovë, me këtë emër, si subjekt “Iniciativa qytetare e Gorës” është e njohur partia GIG, dhe të gjithë mendonin se ishte fjala për të, duke u bazuar me disa veprime të saja, që nga lindja e saj si parti, ku madje pikërisht përfaqësuesi i kësaj partie, në parlamentin e Kosovës, nuk e pati nënshkruar deklaratën e pavarësisë së Kosovës (edhe atëherë, i njëjti ishte deputet). Por, megjithatë, GIG doli dhe e demantoi që e ka bërë një deklaratë të tillë. Pastaj u kuptua se këtë klithmë politike e ka bërë njeriu i njohur pro serb nga treva e Gorës, që tash sa kohë mrizon në Beograd, Orhan Dragash. Me deklarata të tilla është mësuar tashmë, jo vetëm Kosova, por edhe Gora si pjesë integrale e saj.
 
Turri i Tadiqit për përfitime politike
 
Dhe jo vetëm kaq. Turri i paturpshëm i përpjekjeve për përfitime politike, nuk u ndal vetëm te kjo e ashtuquajtur “iniciativë qytetare gorane” nga se vet shteti serb, në mënyrë të paskrupullt, madje përmes zyrës së presidentit serb, Boris Tadiq, shprehu dëshirën për ta marrë nën mbikëqyrje fatin e të mbijetuarës, Amsera Reka, duke premtuar për të pagë mujore, derisa ajo t’i mbushë 18 vjet.
Pushteti serb ka kohë që vazhdon të bëj përpjekje për ta pasur ndikimin në trevën e Gorës. Në këtë drejtim, Serbia ka dërguar në Gorë një varg misionarësh, siç ishte rasti i Sandra Rashkoviq Iviqit, pastaj tendencat për të funksionuar e ashtuquajtura komunë fiktive e Gorës, si dhe duke bërë kërcënime, shantazhe e mashtrimeve ndaj njerëzve të thjeshtë të Gorës, e veçmas një pjese të punonjësve të arsimit nga kjo trevë, Serbia ka synuar për ta pasur ndikimin edhe më tej në këtë trevë. Në këtë rast, Serbia nuk e ka hallin te goranët, por te politika, prandaj për interesa politike nuk i kursen as njerëzit e vet, e lëre më goranët. Ajo ka shumë dëshirë që ta ruaj Gorën si enklavë sllavofone, duke bërë përpjekje për ta getoizuar sa më shumë, dhe kësisoj për të ndikuar në mosinkorporimin e kësaj popullate në rrjedhat reale të shoqërisë dhe shtetit të Kosovës. Këto veprime janë bërë në fusha të ndryshme, jo vetëm politike, por janë synuar edhe në art, kulturë e shkencë, përmes bashkëpunëtorëve të vet të kahershëm si: Harun Hasani, Behadin Ahmetoviqi, Vait Ibro, Orhan Dragash, Mesip Dalifi, udbashët Orhan Memishi, Sinap Kakush, Rrustem Agushi etj. Prandaj deklaratat e kabinetit të Tadiqit kanë refleksion politik, kinse për brengat që paska shteti serb për qytetarët e saj.
 
Tiradat e maqedonëve
 
Gjithashtu, në këtë valle të turpit, nuk mbeti e pa u përzier as hegjemonizmi maqedonas, e cila në mënyrë institucionale, përmes misionarëve të saj, shprehen gatishmërinë për ta marrë nën përkujdesje Amsera Rekën. Pushteti maqedon vazhdon ti quaj banorët e Gorës si “goran maqedonas” të cilët, sipas Maqedonisë, edhe pse jetuakan në territorin e Kosovës, paskan shtetësi maqedonase siç shprehet ky pushtet, përmes portalit “netpress”. Pushteti maqedon, për të përfituar politikisht nga kjo tragjedi, ka dërguar në Restelicë edhe shërbëtorë të saj nga treva e Gorës, siç është rasti me Ismail Bojdën, apo me qasjet destruktive të problemit të goranëve nga Akademia maqedone dhe instrumentet e saj, si Njazi Limanovski etj.
 
Përpjekjet serbo – maqedone për përfitime politike
 
Përpjekjet e tilla për përfitime politike nga shteti i Serbisë dhe i Maqedonisë, u bënë për faktin se lajmi për shpëtimin e Amsera Rekës, ashtu si tragjedia e familjes së saj, morën dhen duke u transmetuar pamjet filmike të Klan Kosovës, në të gjitha masmediat botërore. Prandaj Serbia dhe Maqedonia, njëkohësisht, duan tu tregojnë edhe popullatës së Gorës, se nëna e tyre është Serbia përkatësisht Maqedonia, siç duan të bëhen edhe nëna të Amserës. Në anën tjetër, në opinionin ndërkombëtar, duan të tregohen se sa humanitare janë, dhe njëkohësisht përmes këtij humanizmi: të vazhdojnë së paraqituri publikisht me pretendimet e tyre politike dhe territoriale ndaj Kosovës në përgjithësi, si dhe ndaj Gorës si pjesë e saj në veçanti. Sa i përket pretendimeve maqedone se dikush e paska pasur pasaportën e Maqedonisë, ata e dinë se për një gjë të tillë, maqedonët, përmes Ismail Bojdës, që moti janë munduar të shpërndajnë pasaporta maqedone, në mënyrë që pastaj t’i krijojnë vetes argumente për të thënë se kaq banorë nga Gora janë maqedonë. Maqedonët duhet të tregojnë për procedurat e dhënies së pasaportave qytetarëve të Gorës, arsyet dhe qëllimet dihen. Përpos politike, janë edhe materiale, sepse për çdo pasaportë janë dhënë mijëra euro. Ashtu si edhe lojërat e Serbisë që janë bërë në këtë drejtim me qytetarët, jo vetëm goranë, por edhe shqiptarë, duke u marrë mijëra euro, përmes krimit të organizuar shtetëror, dhe kur kjo mori dhen në opinionin ndërkombëtarë, shteti serb, vendosi dikë ta kurbanizoj në emër të luftimit të krimit brenda institucioneve të sigurisë së shtetit, siç ishte rasti me udbashin e njohur, Lulzim Neziri, të cilin Serbia, pasi e shfrytëzoi si limonin e shtrydhur, e futi në burg për arsye se ky u ka marrë shqiptarëve nga 5000 euro, bashkë me disa bashkëpunëtorë të sigurimit shtetëror serb.
 
Përgjigja e Gorës, Restelicës dhe të afërmeve të Amserës
 
Por, të gjitha këtyre përpjekjeve të turpshme, ju përgjigjen të afërmit e Amsera Rekës, duke filluar nga daja, Sinan Balje, e deri te hoxha i fshatit Restelicë, Shaban Haxhia, të cilët ua rikujtuan, si qarqeve maqedone ashtu edhe atyre serbe, duke thënë qe ”kjo është lojë politike e Serbisë. Jemi të shqetësuar rreth thënieve se ne paskemi kërkuar ndihmën e Serbisë. Ne e kemi shtetin, i cili na ndihmon në çdo moment“. Njëkohësisht, duke e porositur Tadiqin, që ta shikojë hartën e Kosovës, sepse, si duket, Tadiqi e ka harruar që Restelica gjendet në Gorë, e Gora gjendet në Kosovë. E Gora, edhe pse ndodhët në skajin jugor të Kosovës, ajo ndodhet në mes të trojeve shqiptare. Të gjitha prononcimet e familjarëve si dhe të qytetarëve të Gorës, u bënë në funksion të shtetit të Kosovës, duke shprehur falënderime për përpjekjet dhe përkujdesin e institucioneve për këtë pjesë të Kosovës dhe këtë popullatë. Prandaj nuk qëndron as ndonjë krrokatje e ndonjë të ashtuquajturi analist, se gjoja Gora qenka lënë jashtë përkujdesit institucional të Kosovës, sepse për këtë dëshmojnë investimet e shumta të deritashme të qeverisë së Kosovës që janë bërë në Gorë, duke filluar që nga niveli qendror dhe pushtetit lokal, ku, që nga periudha e pasluftës, shkalla e investimeve në trevën e Gorës, është më e madhe se investimet që janë bërë në trevën e Opojës, duke mos marrë parasysh madje as raportin e popullsisë së Opojës e Gorës. Serbia dhe Maqedonia nuk ka pse brengosen as për Amserën dhe as për popullin e Gorës, sepse popullata e Gorës është kyçur që nga çlirimi i Kosovës, në të gjitha sferat e jetës institucionale në Kosovën e pavarur. Ata Kosovën e ndjejnë për shtet dhe atdhe të vetin. Tjetër shtet e atdhe nuk kanë, nuk duan të kenë dhe as që do të kenë.
 
 
Share