• Kërkimi i Shpejtë •

• Lidhjet Direkte •

kpm_radio_sharri

komuna_dragash_radio_sharri

• Publicitet •

ambienti_radio_sharri_dragash

grill_sharri_radio

kolloni_radio_sharri

• Publicitet •

ilva_radio_sharri_dragash

• Publicitet •

publicitet_nje_radio_sharri

• Publicitet •

libri_radio_sharri

• Publicitet •

kufje_radio_sharri

• Dita e FLAMURIT •

edhe:
Gëzuar!
connect_radio_sharri_tring
e Enjte, 08 Dhjetor 2011 08:55

bedri_halimi_1

Bedri HALIMI - Kryeinspektor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës

Menjëherë pas publikimit të intervistës së akademik Rexhep Qosjes, rreth politizimit të ASHAK-ut, ndaj akademikut u lëshuan me sulme, fyerje e mohime, si nga Akademia, ashtu edhe nga ana e LDK-së. Nuk është çështja këtu, se Rexhep Qosja duhet të mbrohet nga dikush, sepse për një gjë të tillë, as nuk ka pasur e as nuk ka nevojë, ngase Rexhep Qosja më veprat e veta, në lëmin e kulturës, artit e shkencës, është institucion në vete. Por çështja është të disa të thëna të paqëndrueshme e fyese rreth veprimtarisë së akademikut Qosja, dhe për tendencën negative për të mos lejuar lëvizjen e gjërave nga vendi.

Sulmet ndaj Qosjes

Si duket, e vërteta e njohur rreth Akademisë, të cilën e shprehu tashmë publikisht edhe Qosja, disa akademikëve u dogji, prandaj bënë turr për t’ia mohuar të vërtetat e thëna, që në asnjë mënyrë nuk mund të mohohen. Dhe Akademia jonë, demek e Kosovës, në reagimin e tyre publik, pa kurrfarë marreje, në emër të theksimit, gjoja të pavërtetave të Rexhep Qosjes, thonë një të pavërtetë kësi soji: “E vërteta është se të gjithë këta akademikë, pa asnjë përjashtim, janë vijimisht shumë aktivë në punën e tyre shkencore e artistike. Por është e sigurt, se asnjëri nuk e lakmon nivelin e veprës letrare e shkencore të Qosjes”! Këtu, nëse nuk janë duke bërë hajgare (se edhe hajgarexhinj janë disa akademikë tanë), gënjejnë shumë trashë, për faktin se të gjithë këta akademikë, dëshirojnë, madje e ëndërrojnë, për ta arritur nivelin e punës shkencore të akademik Qosjes, por meqë janë të vetëdijshëm se këtë kurrë nuk mund ta arrijnë, atëherë lëshohen në mohimin mekanik, si formë e shprehjes së inatit dhe hakmarrjes. Në fakt, cili prej akademikëve të gjallë të Kosovës, mund të krahasohet me Rexhep Qosjen? Cila vepër e cilit akademik, mund të krahasohet me veprat e Qosjes? P.sh cila vepër e akademikëve mund të krahasohet me “Historinë e letërsisë shqipe (romantizmi) të Qosjes”? Cila vepër mund të krahasohet me veprën “Kosova – Historia dhe politika”? Dhe jo vetëm kaq. Për shembull, cila vepër letrare (meqenëse ka edhe letrarë në këtë Akademi) mund të krahasohet me romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”? Ka edhe shumë pyetje që mund të bëhen në këtë drejtim, por në këtë rast morëm vetëm ca shembuj. Prandaj, të thuash se vërtet nuk e lakmojmë nivelin e Qosjes, sepse nuk mund ta arrijmë, është njerëzore, morale, bile edhe intelektuale. Por nëse e kanë pasur fjalën se nuk e lakmojnë nivelin e veprës letrare e shkencore të Qosjes, ngase sipas tyre, nuk paska vlera, atëherë lind pyetja: cilat vlera? Cili është instrumenti i matjes së vlerave letrare e shkencore i akademikëve tanë? Cili prej tyre, me cilën vepër, jo që e ka tejkaluar, por i është afruar vlerës letrare e shkencore të veprave të Qosjes? Nëse vërtet mendojnë kështu, atëherë me keqardhje më duhet të them, se këtu është në pyetje pleqëria e thellë, madje aq e thellë, saqë kjo çështje do trajtim psikologjik të të gjithë atyre pleqve tanë që mendojnë kështu. Dhe këtu, siç po shihet, ka shumë punë për Pajazit Nushin (si psikolog), për të trajtuar mendësinë e plakur e të atrofizuar se si (nuk) mund të funksionojë. Sipas Klubit të Pleqve të Kosovës, Rexhep Qosja po gënjyeka se akademikët tanë po bëkan luftë kundër gjuhës standarde dhe pastaj si përgjigje numërojnë “faktet”, se gjuhëtarët e Akademisë së Kosovës qenkan anëtarë të Këshillit Ndërakademik, për gjuhën standarde të iniciuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë..., për të vazhduar pastaj “sqarimin” se ky Këshill nuk është krijuar për ta luftuar gjuhen standarde, por për ta begatuar aftësinë shprehëse të saj e të funksionalizimit shoqëror”.

Heshtja e akademikëve, si art, dhunti, virtyt, moral njerëzor dhe intelektual

Në bazë të këtij “sqarimi”, vetvetiu lind pyetja logjike, se cili ishte deri tani dhe cili është aktualisht aktiviteti i gjuhëtarëve të Akademisë sonë në këtë drejtim? Cili ishte deri më tani reagimi i akademikëve tanë, ndaj tendencave të individëve të caktuar kundër gjuhës standarde? Cili prej tyre mori guximin për t’u thënë: “ndal”, këtyre “partizanëve”, që për interesa personale i kanë hyrë zanatit të huaj? Por, e vërteta është se të gjithë këta gjuhëtarë të Akademisë së Shkencave të Kosovës, kanë heshtur dhe vazhdojnë të heshtin si mumiet, për këtë problem madhor, që dikush, apo qarqe të caktuara, duan ta implantojnë në kulturën tonë. Në vend të gjuhëtarëve të shumtë në këtë Akademi, nga të cilët nuk reagoi asnjëri, përjashtim bëri një akademik (jo gjuhëtar). Por heshtja e këtyre akademikëve tanë është zanat i vjetër, sepse këta heshtjen e kanë art, dhunti, virtyt, moral njerëzor dhe intelektual. Prandaj edhe kanë heshtur dje, kur Kosova ishte e okupuar, prandaj pse ta prishin rehatinë sot, kur Kosova (edhe pa meritën e tyre) është e çliruar? Akademikët tanë, të grumbulluar në një klub pleqsh, mjerisht të quajtur me emrin Akademi, nuk ndalen me kaq. Ata e sulmojnë Rexhep Qosjen, duke e quajtur edhe servil të pushtetit. Por si duket, i ka lënë kujtesa nga pleqëria e disa vazhdojnë inatin iracional, prandaj duhet t’ua rikujtojmë shkrimet autoriale, intervistat, polemikat e akademik Rexhep Qosjes që nga vitet 80-ta, siç janë rastet me Lidhjen e Shkrimtarëve të Jugosllavisë në Kongresin e vitit 1986, pastaj intervistat dhe prononcimet në mediat kroate, sllovene e ndërkombëtare, pikërisht për problemet e padrejtësive që bëheshin ndaj shqiptarëve, pastaj polemikat me akademikun serb Doqica Qosiq, etj.

Cili ishte antiservilizmi i akademikëve tanë?

Nëse për akademikët tanë, edhe këto janë servilizëm ndaj pushtetit, atëherë lind pyetja, çka nënkuptojnë këta akademikë me termin servilizëm ndaj pushtetit dhe çka do të duhej bërë Qosja, që këta të mos e quajnë servil të pushtetit? Dhe serish jo vetëm kaq! Cili ishte joservilizmi, përkatësisht antiservilizmi i këtyre akademikëve tanë në të kaluarën dhe tani në raport me pushtetet? Akademikët nga Klubi i pleqve, në reagimin e tyre, mundohen të shesin moral, duke e quajtur të pamoralshëm Rexhep Qosjen, sepse ky i fundit po e shajka Akademinë dhe njëkohësisht po vazhduaka të qëndrojë anëtar i kësaj Akademie, pa pasur kurajo për të dhënë dorëheqje nga Akademia! Nga kush duhet të japë dorëheqje Rexhep Qosja?! Kush e ka zgjedhur Rexhep Qosjen anëtar të Akademisë, këta heshtakë? Puna dhe përkushtimi i vazhdueshëm i Rexhep Qosjes, duke botuar shumë libra shkencorë, letrarë e publicistikë, apo dëshira e këtyre pleqve për ta pranuar në Akademi? Pastaj, pleqtë tanë, me histeri deklarojnë se Rexhep Qosja na qenka edhe denoncues policor! Tashmë, ndonëse kanë kaluar 30 vite (pikërisht sivjet) nga ngjarjet e vitit ’81, në mendjet e shumë intelektualëve dhe njerëzve të thjeshtë, ekziston fakti, siç ekzistojnë të gjitha faktet edhe në formë të shkruar në shtypin e kohës, për qëndrimin e secilit prej këtyre akademikëve (pavarësisht në ishin të anëtarësuar në shtëpinë e pleqve apo jo), për këto ngjarje. Gjithashtu dihet mirëfilli, se kush ishte i denoncuar, kush ishte denoncues, si dhe kush ishin heshtakët, të cilët me heshtje miratuan denoncimin e ngjarjeve të 81-shit, pa e harruar faktin se oportunizmi në momentet e caktuara është larg tradhtisë vetëm një hap. Po si t’i kundërvihet kjo Akademi politikës serbe për këto ngjarje, kur shumica e tyre, ndoshta edhe sot e kësaj dite, për demonstratat e vitit 1981, nuk mendojnë ndryshe ta zëmë nga mendimi i akademikut serb, Mihajlo Markoviqit – ideologut të PSS-it, i cili në revistën “KOHA” nr 54/95, 29 mars 1995 fq.13., pos tjerash, thotë: “Udhëheqësit shqiptarë, të cilët organizuan demonstratat e vitit 1981, bënë gabim të madh historik… Padurueshmëria dhe mendjelehtësia e liderëve tuaj, e shprehur më 1981, shkaktoi humbjen e asaj që deri atëherë e patët”. Cili nga akademikët tanë iu kundërvu këtyre konstatimeve antihistorike? Në fakt, cili është mendimi dhe veprimi shkencor i Akademisë për ngjarjet e vitit 1981?!

LDK-ja e sikletisur

LDK-së, të cilës nuk i paska pëlqyer fakti se MASHT-i e paska financuar botimin e kompletit të veprave të akademik Rexhep Qosjes, madje duke mos hezituar që jo vetëm ta përmendin, por edhe ta keqpërdorin shifrën e parave, që i janë dedikuar për botimin e këtij kompleti, duke e quajtur një gjë të tillë, se Rexhep Qosja qenka shpërblyer për një sharje ndaj LDK-së, me një shumë prej 220 mijë eurosh! Në disa legjislacione të deritashme, ka pasur raste jo të rralla, kur Ministrinë e Kulturës e ka udhëhequr LDK-ja, madje edhe atë të Arsimit dhe dihet mirëfilli suksesi i kuadrove të kësaj partie. Për shkak të këtij “suksesi”, kjo parti sot mrizon në opozitë. Ka të drejtë LDK-ja të deklarojë çfarë të dojë, ama duhet ta kuptojë një gjë, se me Kosovën qeveris PDK-ja, dhe se për punën që bën kjo Qeveri, ka të drejtë të mos e dëgjojë LDK-në. E dini pse? Sepse nuk dëshiron të rikthehet në opozitë.

Nevoja e tejkalimit të gjendjes

Përderisa ekziston kjo gjendje e mjerë, në këtë krijesë boshe, me një emër të madh, të quajtur Akademi, diçka duhet ndërmarrë për të dalë nga kjo situatë. Kosova vërtetë ka nevojë për një Akademi, siç ka nevojë për bukë. Kosova ka nevojë për akademikë, siç ka nevojë për ajër. Por jo për kukulla dekorative. As Ramë Vataj si deputet i PDK-së dhe as vet PDK si parti, nuk po kërkon politizim të kësaj Akademie, sepse cili prej tyre do t’i hynte në punë PDK-së dhe në cilën lëmi? PDK po kërkon ringjalljen e kësaj Akademie, që kjo të mos mbetet një Klub Pleqsh, që i ngjason shtëpisë së pleqve të perëndimit, por Akademi që do t’u ngjasonte akademive të perëndimit. E për t’u bërë kjo, duhet ndryshuar ligjet e vitit 1978, duhet krijuar mundësia e freskimit të radhëve të saj, me emra të rinj, funksionalë, që do t’i jepnin gjak kësaj akademie anemike. Që të bëhen këto, gjendja e kësaj status quo-je duhet të ndryshohet. Nuk mund ta presim vetëm Zotin për ta ndryshuar gjendjen në këtë krijesë të quajtur Akademi, ngase edhe në Kuran thuhet: “Perëndia nuk do ta ndryshojë gjendjen e vështirë të një populli, përderisa ai popull nuk e ndryshon vetveten”. Akademinë dhe akademikët tanë, nuk i brengos fakti, se brenda tyre - siç thotë Rexhep Qosja me të drejtë, nuk ka historianë, nuk ka mjekë dhe as ekonomistë. Dhe arsyeja kryesore përse nuk ka, nuk është në faktin se Kosovës i mungojnë kuadrot, por në faktin se pleqtë e Akademisë kanë lidh besë, e kanë ba be... Por, vet ASHAK-u në linkun e saj thekson se “numri i anëtarëve të ASHAK-ut nuk është i kufizuar…”. Gjithashtu, fatmirësisht, ASHAK-u nuk ka harruar të pranojë se pos tjerash, “financimi i Akademisë bëhet nga mjetet financiare të përcaktuara nga buxheti i Kosovës”.
 
 
Share