Opojanët në mbrojtje të Fatmir Limajt! |
Nga: Radio SHARRI
|
e Mërkurë, 23 Mars 2011 21:23 |
Dragash - Me flamuj dhe pankarta, me të cilat kërkohej “liri për luftëtarët”, qindra qytetarë të komunës së Dragashit, të prirë nga veteranët e OVL të UÇK-së, protestuan të mërkurën, përgjatë rrugës qendrore të Dragashit, duke i mbrojtur në këtë mënyrë “vlerat e mirëfillta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Pjesëmarrësit në këtë protestë kërkuan nga EULEX-i që të lirohen të gjithë luftëtarët e arrestuar, si dhe të anulojë fletëarrestin ndaj ish-komandantit të UÇK-së, njëherësh edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, Fatmir Limajt. “Tërë bota e di se UÇK-ja ka bërë një luftë të pastër si loti, duke i respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare. Nga ana tjetër, bota e di që soldateska serbe ka bërë një ndër luftërat më të fëlliqura që njeh historia e njerëzimit. Prandaj, është e pakuptueshme që sot burgosen luftëtarët e lirisë, të cilët iu dolën në mbrojtje qytetarëve të pambrojtur, ndërkaq militarët dhe paramilitarët serbë enden lirshëm, brenda dhe jashtë Serbisë”, ka thënë në këtë protestë, Galip Skeraj, kryetar i OVL të UÇK-së, në Dragash.
|