• Kërkimi i Shpejtë •

• Lidhjet Direkte •

kpm_radio_sharri

komuna_dragash_radio_sharri

• Publicitet •

ambienti_radio_sharri_dragash

grill_sharri_radio

kolloni_radio_sharri

• Publicitet •

ilva_radio_sharri_dragash

• Publicitet •

publicitet_nje_radio_sharri

• Publicitet •

libri_radio_sharri

• Publicitet •

kufje_radio_sharri

• Dita e FLAMURIT •

edhe:
Gëzuar!
connect_radio_sharri_tring
Populistë antieuropian!
Nga: Halil MATOSHI   
e Hënë, 25 Janar 2010 11:45

Radio_SHARRI_-_Halil_Matoshi_-_01
Halil MATOSHI -
Redaktor i shtojcës për kulturë dhe kolumnist në Koha DITORE
Pse kosovarët vjet ishin për John McCaine e jo për Barack Obaman dhe përse ata sivjet në zgjedhjet presidenciale kroate ishin për Milan Bandiqin e jo për Ivo Josipoviqin? A janë ballkanasit antievropianë? Dhe cili është më antievropian, Vuk Jeremiq apo Hashim Thaçi?

Nëse nisemi nga paradigma e “Tokës së shenjtë”, që të dy këta liderë ballkanas për koincidencë e deklaruan, në vende dhe kontekste të ndryshme, që të dytë dalin si bartësit e fundit të frymës antievropiane në këtë cep të Evropës.
Gjuha raciste që është e ndaluar me Kushtetutën e Kosovës dhe me ligjet në fuqi, nuk është raritet dhe nuk mund t’u përshkruhet vetëm njerëzve të pashkollë, siç ndodhi këto ditë në një reality show kosovar, me njërin nga personazhet, që hapur dhe në transmetim të drejtpërdrejtë në një televizion nacional shprehte racizmin e tij primitiv. Ai si i ri është viktimë e propagandës shumëvjeçare raciale që bëhet në shkollën, politikën dhe nga shumica e mediave në Kosovë.
Kur publikut nga studioja e televizionit publik i drejtohet një estradist, duke folur me zjarr për “shkiet barbarë”, ndërsa muzikomi i tij ka absolutisht ritme orientale (edhe serbe) gjatë një emisioni që mbështetet nga një bankë po ashtu prestigjioze, askush nga qytetarët dhe lidershipi proevropian nuk do t’i jepte vetes siklet për të reaguar. Dhe kur një moderator po këtu në televizionin publik fliste për “shqiptarët si lopë të Australisë” dhe për “zezakët me buzët si opinga t’Pirotit”, lëre që nuk kanë reaguar qytetarët, por nuk është ndier në siklet as zëvendëskryeministri që e bën skemën programore të këtij mediumi.
“Ky vend, Kosova, është Jerusalemi ynë, ju nuk mund ta trajtoni ndryshe përveçse si Jerusalemi ynë”, ka thënë për “The New York Times” Vuk Jeremiq, ministri i Jashtëm serb. Gazeta, duke bërë profilin e tij, shkruan se derisa ai po fliste për bindjet serbe ndaj Kosovës, mentori dhe profesori i tij i psikologjisë i shkollës së mesme, presidenti aktual serb, Boris Tadiq, nën masa të mëdha sigurie, ka kaluar pushimet në Manastirin e Deçanit, derisa shqiptarët etnikë po protestonin.
Asgjë e re. Çuni Jeremiq, si e cilëson gazeta, një ish-student i Cambridge, i cili mori diplomën në shkollën për qeverisje “Kennedy” të Harwardit, para se të merrte timonin e diplomacisë serbe. E në anën tjetër angazhohet për një Serbi evropiane, e cila e ka një Jerusalem të shenjtë po në këtë Evropë dhe kjo do të thotë se ky vend ka problem me të kaluarën, por edhe me të tashmen, sepse është një vend racist, sado që nën qeverisjen e Tadiqit përpiqet të kamuflohet.
Këtejpari kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi u citua nga shtypi në Prishtinë të ketë thënë në partinë e tij se “Prizreni është Jerusalemi i PDK-së.”
Pra, pos formatit arsimor, këta dy liderë ballkanikë i dallon veçse një cilësi. Për të parin prioritet është shteti që nuk mbindërtohet si parti, por si mbipartiak dhe për të dytin shteti ka përmasën e partisë së tij, PDK-së dhe prioritet i tij është partia-shtet.
Në dukje nuk është dallim i madh, por në thelb këto janë dy bota të ndryshme. I pari, Jermiqi gjatë vitit 2009 për shtetin e tij e ka kaluar plot një muaj në aeroplanin “Falcon 50“ që dikur ishte pronë e Titos, pra rreth 700 orë, ndërsa ka vizituar plot 90 vende, për t’ua shitur “Jerusalemin serb”, ndërkaq i dyti e ka vizituar Prizrenin mbase 30 herë, për t’ia shitur Kosovës si “Jerusalem të PDK-së.”
Mirëpo, derisa i pari “Ujku” (Emri Vuk në shqip i bie Uk ose Ujkan) për serbët hoqi barrierën e Schengenit, ky yni që mbante nofkën “Gjarpri” u thotë kosovarëve se kjo do të ndodh shumë shpejt, kurse evropianët u thonë kosovarëve se kjo mund të ndodh më 2015. Fatkeqësisht, Jeremiq po del më realist, pra edhe më proeuropian.
Kështu, dy shtetarë ballkanas fare nuk dallojnë për nga angazhimet e tyre për shtrembërimin e historisë, as për nga interpretimi ideologjik i saj, ata madje përkasin në korpusin etnonacionalistë të përmasave populliste, por Jeremiq e ka një përparësi, ai “ka harruar” partinë e tij duke luftuar me mjete diplomatike për shtetin e tij, ndërsa Thaçi e ka harruar shtetin e tij duke luftuar për partinë e tij, PDK. Dhe, duke i trajtuar armiq të gjithë ata që nuk mbështesin ideologjinë e partisë së tij.
Nëse Kosova shpirtërisht trajtohet nga serbët si “Jerusalemi serb”, lë të mbes kështu, sepse ndjenjat nuk demishërohen lehtë, mirëpo të pretendosh që të rikthehesh në “Tokën e shenjtë” të Kosovës që është thjesht një mit komb-krijues për serbët, kjo është ideja më antieuropiane e mundshme dhe si e tillë, thjeshtë është një ide e çmendur, që mund të prodhojë vetëm konflikte të reja dhe jo frymë integruese, në truallin europian. Nacionalizmi kërkon të besosh fort në diçka që duket sheshit se nuk është. Eric Hobsbawn citon Renanin që thotë se një nder faktorët thelbësorë të formimit të kombit është edhe shtrembërimi i historisë së tij. Një shtrembërim i tillë i historisë dhe interpretimi ideologjik i saj, i ka kapluar me zjarr dy popujt e fundit protonacionalistë të Europës, shqiptarët dhe serbët.
Nuk mund të thuhet sot se të gjithë hebrenjtë vërtet kanë besuar në Tokën e shenjtë të Izraelit dhe kanë menduar se të gjithë do të rikthehen kur të vjen Mesia - kësisoji nuk mund të identifikohen lidhjet shpirtërore si kriter për themelimin e shtetit modern izraelit që ndodhet në Tokën e shenjtë. Hobsbawn në librin e tij “Kombi dhe nacionalizmi që nga 1780-ta” thotë se me po aq të drejtë mund të konkludohet se të gjithë myslimanët e mirë që kanë si ambicie të lartë haxhillëkun në Mekë ta shpallin vetën qytetarë të asaj që ne sot e njohim si Arabia Saudite.
Mirëpo kur Jeremiq dhe Thaçi e përdorin si ikonë Jerusalemin e shenjtë për t’i fshehur pasionet e tyre politike, duket sikur asnjëri nuk e dinë se ky qytet është njëkohësisht i shenjtë edhe për myslimanët, të cilët i kanë aty tempujt e tyre (Al Aksa), prandaj ta përdorësh Jerusalemin për ta kontekstualizuar me diçka që është i shenjtë dhe ekskluzivisht më takon vetëm mua, kurse tjetrin e konsideron armik, ky është thjesht një mit i rremë që s’ka lidhje më me shenjtërinë dhe as më të vërtetën por i takon propagandës. Sikur që, për Prizrenin më së paku mund të thuhet se është “Jerusalem i PDK-së.”
Një pjesë e madhe e kosovarëve janë të besimit mysliman dhe Meka për ta është vendi i shenjtë, për një pjesë tjetër është Vatikani vend i shenjtë e jo Jerusalemi, por asnjëri nga kosovarët nuk i kuptojnë emocionalisht këto qytete si të tyre në kuptimin territorial dhe kombëtar. E çfarë po ndodh kështu me serbët, që lëvdohen për një qeveri shumë proeuropiane. Ata duan ta rikthejnë Kosovën, sepse na qenkëshin shpirtërisht të lidhur për të, në anën tjetër kurrë asnjë serb normal nuk doli e të thotë se cilat janë ndjenjat e kosovarëve për Kosovën, cila është shenjtëria e saj për ta? Serbët i besojnë një miti të rremë dhe kjo është çështje e tyre, porse kosovarët i besojnë një realiteti – se kjo është toka e tyre si hapësirë ekzistenciale. Politikania serbo-kosovare Rada Trajkoviq shkruante në një editorial për gazetën beogradase “Politika” se serbët në vitin 2010 duhet ta pyesin vetën: po të ishte Serbia fëmija jonë, si do ta edukonim, cilat vlera do t’ia jepnim si frymëzim? Popullizmin, krenarinë dhe jovetëkritikën apo realitetin dhe seriozitetin? E njëjta pyetje vlen për secilin kosovar sot, qysh me e edukue fëmijën tonë Kosovën? Me vlerat raciste dhe primitive, që të na bëhet si ai fëmija i përgaztë, personazh i i Reality Show-t “Shpija e Kosovës” apo me vlerat e reja e të përbashkëta evropiane?
Në një gazetë prishtinase kisha shkruar një shkrim me titull “Të mos lejojmë që të na frikësojnë” që i atribuohej kandidatit demokrat Barack Obama, i cili me filozofinë e shpresës po ua heq qytetarëve frikën se Amerika është në luftë; dhe këtë e kisha bërë që para fushatës paraelektorale për zgjedhjet presidenciale në SHBA, por gazeta ku shkruaja dhe thuaja shumica dërrmuese e autorëve përkrahnin kandidatin republikan McCain, madje duke përdor edhe gjuhë raciste ndaj Obamas, madje duke e cilësuar edhe si proserb.
Tashti nuk di se çfarë mendojnë ata autorë, se gjithçka harrohet, apo...!? Sidoqoftë SHBA-të nuk e ndërruan kursin ndaj Kosovës as me njeriun me ngjyrë në Shtëpinë e Bardhë. Aktualisht, për mendjelehtësinë e marrjes anë të kosovarëve po më shkruante në Facebook një student kosovar nga Zagrebi. Kandidati i afërt me HDZ-në Milan Bandiq (kqyrja mbiemrin!?) ish anëtar i SDP-së dhe prefekt i Zagrebit, është një popullist i dëshmuar antieuropian, prandaj gjuha e tij u pëlqen edhe kosovarëve të shkretë dhe ata masovikisht janë organizuar ta mbështesin hapur dhe ta votojnë atë. Në anën tjetër kandidati i SDP-së Ivo Josipoviq, një doktor i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe kompozitor u duket “tepër i mençur” për të qenë si ata vetë, tepër i sofistikuar për ta marrë vesh, pra nuk është si kosovarët popullist, duke qenë se përfaqëson vlerat e përbashkëta evropiane.
Por qe, në të dyja rastet dolën humbës, pra kundër vlerave të reja civilizuese...
Pse kosovarët vazhdojnë t’u besojnë agjendave antieuropiane si frymë dhe modele qeverisëse? A mund të jetë e vërtetë se shumica janë të padijshëm dhe i duan liderët siç janë ata vet, të padijshëm!? Analfabetë? Jo, është shumë pretencioze kjo fjalë përderisa Kosova ka Akademi Shkencash dhe artesh!?
Nëse themi se historia është shtrembëruar për qëllime politike e ideologjike, se proeuropianizmi i kosovarëve është vetëm retorikë boshe, pra mit, se procesi zgjedhor “shembull për rajonin” është një mit sepse ka degraduar, atëherë a mund të themi se në Kosovë arsimimi është mit, sepse Kosova nuk ka shkollë normale. Nëse në ndërtesën e re të Akademisë kosovare të Shkencave dhe arteve është vendosur një pllakë me një fjali iluministe të Kryeministrit aktual, kjo është dëshmia më e mirë se Kosova nuk ka agjenda evropiane, pra i beson mitit për “Europën kurvë”, e cila, ja na la “vrimë të zezë”!?
Thua se kosovarët ishin ata që kishin krijuar idenë e Europës dhe të vet Schengenit.
Kjo dëshmon se Kosova po mbytet në krenarinë e saj joreale.
Share