• Kërkimi i Shpejtë •

• Lidhjet Direkte •

kpm_radio_sharri

komuna_dragash_radio_sharri

• Publicitet •

ambienti_radio_sharri_dragash

grill_sharri_radio

kolloni_radio_sharri

• Publicitet •

ilva_radio_sharri_dragash

• Publicitet •

publicitet_nje_radio_sharri

• Publicitet •

libri_radio_sharri

• Publicitet •

kufje_radio_sharri

• Dita e FLAMURIT •

edhe:
Gëzuar!
connect_radio_sharri_tring
“Bresana”, ambasadore e kulturës opojane!
Nga: Demir RESHITI   
e Diel, 10 Janar 2010 16:59
Radio_SHARRI_-_SHKA_BresanaE themeluar shumë vjet më parë dhe e riaktivizuar pas luftës, Shoqëria Kulturo Artistike “Bresana”, nga fshati i Opojës me po të njëjtin emër, tashmë ka bërë nam, jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë. Kjo shoqëri, e cila tubon rreth vetes talentë të rinj, të cilët kanë vullnet dhe optimizëm, ka për synim që sa më denjësisht t'i paraqesë para publikut vlerat e mirëfillta kulturo-artistike, të ruajtura me fanatizëm në trevën e Opojës, që nga kohërat më të lashta se sa që njeh historia sot. 
Tradita jonë kulturore kombëtare, me gjithë vështirësitë e mëdha të jetës së popullit, nën okupimin shekullor, nuk u shua kurrë. Përkundrazi, vazhdoi të jetë ushqim shpirtëror për edukimin e brezave për të bukurën e artit popullor dhe për vlerat që reflekton ai edhe në traditat kulturore të përbotshme.
Ruajtës dhe kultivues i kujdesshëm nëpër kohë i këtyre vlerave, qe edhe Opoja, si burim i pashtershëm i talentëve dhe talenteve të reja. Energji e theksuar krijuese në këtë frymë është reflektuar, madje edhe gjatë okupimit të fundit klasik. Sidomos vlen të përmenden vitet e 80-ta , kur vepronte një numër i madh shoqërish amatore në këtë trevë, duke zënë vende meritore edhe në festivale të ndryshme kombëtare. Në këtë mes, me traditë mbeti SHKA “Bresana”, nga fshati Bresanë, e cila gati për gjysmë shekulli mban gjallë frymën artistike në këto hapësira.
Ideja dhe koncepti i kësaj Shoqërie, kryekëput ka qenë ruajtja dhe kultivimi i vlerave kombëtare, në lëmin e folklorit autokton të trevës së Opojës. Është ende i freskët prezantimi dinjitoz i kësaj shoqërie në "Qytetin e Shpëtimit", në Kukësin emblematik, kur koncertin e titulluar "Faleminderit Kukës", e përcollën afro 10 mijë njerëz, të tubuar në sheshin përpara Shtëpisë së Kulturës të këtij qyteti. Krahas paraqitjeve nëpër manifestime të ndryshme kulturore, ka pasur edhe shumë paraqitje në festivale folklorike, të organizuara në Gjonaj të Hasit, në Revistën e folklorit burimor shqiptar “Drenasi”, në festivalin mbarëkombëtar “Rapsha”, në Tuz të Malit të Zi etj. Sukses të madh kjo shoqëri ka arritur në dy edicionet e fundit të festivalit të njohur të Gjirokastrës, ku e ka përfaqësuar Kosovën në mënyrë të denjë, duke e marrë madje në këtë festival çmimin e tretë (2004) dhe çmimin e dytë (2009).
Jo vetëm këtu, por nga secili aktivitet që ka marrë pjesë, ka bërë një prezantim dinjitoz të vlerave burimore të trevës që e ka përfaqësuar dhe është kthyer e shpërblyer. Shumë çmime, mirënjohje e lëvdata, stolisin sot vitrinat e kësaj shoqërie.
 
Shkolla fillore e fshatit, burim i talentëve
 
Zanafillën e krijimit të kësaj shoqërie, duhet kërkuar në fund të viteve të 60-ta, kur në shkollën fillore të fshatit Bresanë, që atëbotë mbante emrin “29 Nëntori”, disa arsimtarë entuziastë përgatisnin korin e shkollës. Njëri nga më të angazhuarit në këtë drejtim ishte Salajdin Tafili, i cili me nostalgji e kujton atë periudhë. “Me korin e shkollës merrnim pjesë në manifestimet e ndryshme kulturore që organizoheshin në nivel komunal dhe, pothuajse në të gjitha këto aktivitete, kemi zënë vendet e para”, kujton Tafili.
Nga ky grup muzikor i shkollës, falë edhe ndihmës së arsimtarëve, si Salajdin Tafili, Sejran Ademi, Hajdar Çekaj etj., lindin talentë të rinj, të cilët shumë shpejt bëhen të njohur për publikun lokal, por edhe më gjërë. Vlen të përmenden kompozitori, Rami Ymeri, pastaj Nuridin Kuteli, Myzafer Lutfiu, Agim Spahiu, etj. Pikërisht këta do ta mbajnë gjallë për gjysmë shekulli jetën kulturore, duke përgatitur gjenerata të tëra talentësh të muzikës.
Një nga përpjekjet e para, për të organizuar Shoqëri Kulturo-artistike të mirëfilltë, u bë në vitin 1969, kur në Bellobrad u themelua SHKA “Avni Rrustemi”, e cila tubonte talentë të rinj nga mbarë treva e Opojës, por edhe më gjerë. Udhëheqës i kësaj shoqërie ishte Hazër Ramadani nga fshati Brrut, ndërsa udhëheqës artistik, Salajdin Tafili. Në mesin e këngëtarëve dhe instrumentalistëve, shquheshin Xhemali Berisha nga fshati Buçe, Hysen Kryeziu nga fshati Brezne, Halil Halili nga fshati Brrut, Masar Ademaj nga fshati Zhur etj. Për fat të keq, kjo shoqëri u shpërbë vetëm pas 3 vjet aktivitetesh. Kjo, për “faj” të Salajdin Tafilit, i cili në Festivalin rajonal të rinisë muzikore në Prizren, pati ndezur publikun në sallë me këngën për Heronjtë e Vigut dhe atë për Bajram Currin. Këto dy këngë, që nga udhëheqësit komunistë të asaj kohe u vlerësuan si nacionaliste, bënë që Shoqëria e Opojës të diskualifikohet, ndërsa “fajtori” të përjashtohet nga Lidhja e Komunistëve, ku ishte pranuar vetëm dy muaj më herët. Ky “faj”, Salajdin Tafilin do ta ndiqte më tepër se një dekadë! Me gjithë pengesat që i nxirrte regjimi i kohës, Salajdini vazhdonte aktivitetin e tij në kuadër të shkollës fillore “29 Nëntori”, ku edhe punonte si mësimdhënës, duke e mbajtur gjallë me vite të tëra frymën kulturore.
Gjatë viteve të shtatëdhjeta, grupi artistik i shkollës përgatit programe kulturore dhe merr pjesë aktive nëpër manifestime të ndryshme që organizoheshin për festa shtetërore, shënime të përvjetorëve, ditëve të shkollave etj. Pothuajse nga të gjitha këto aktivitete, shkolla e Bresanës kthehej me çmimet e para. Në këtë periudhë, me angazhimin e tyre janë dalluar: Myzafer Llutfiu, Musli Rasimi, Salajdin Hajredini, Bashkim Muharremi, Agim Hamza, Sejran Ademi, Nuridin Kuteli, Sefidin Kalanderi etj.
 
“Aradhet e Sharrit”
 
Përvoja e krijuar nëpër këto aktivitete dhe shtimi i talenteve të rinj nga radhët e nxënësve të shkollës, të cilët në atë periudhë, me të madhe, mësonin ekzekutimin e veglave muzikore, si dhe vallet dhe këndimin, e bën të domosdoshme nevojën e krijimit të një shoqërie artistike, ku kontributin e tyre do të mund ta jepnin edhe ata anëtarë, që tashmë nuk ishin nxënës të shkollës. Kështu, në fillim të viteve tetëdhjeta, krijohet SHKA “Aradhet e Sharrit”, që mund të quhet me të drejtë, pararendëse e SHKA “Bresana”.
Kjo shoqëri, krahas pjesëmarrjes në aktivitetet komunale, merr pjesë edhe në Festivalin tradicional të folklorit, që organizohej në Drenas, ku me paraqitjen dinjitoze bie në sy dhe përfiton simpatinë, jo vetëm të publikut por edhe të ekspertëve të ndryshëm të muzikës.
Edhe SHKA “Aradhet e Sharrit”, pothuajse ka të njëjtin fat me pararendësen e saj “Avni Rrustemi”. Në vitin 1984, 14 të rinj nga fshati Bresanë, shumica prej të cilëve anëtarë të SHKA “Bresana”, dënohen nga Gjykata komunale për Kundërvajtje, për arsye se një shoku të tyre (Afrim Shyqeriut), me rastin e martesës i dërgojnë peshqesh një pikturë të kryeheroit kombëtar, Skënderbeut, të stolisur anash me dy flamuj kombëtar. Sikur të mos mjaftohej me këtë dënim absurd edhe Demir Reshiti, autori i këtij shkrimi, dënohet me 90 ditë burg, ndërsa 13 të tjerë me të holla. Komiteti i LKJ-së, i cili mbikëqyrte çdo aktivitet, kërkon nga udhëheqja e kësaj SHKA-je që “nacionalistët” t’i largonte nga gjiri i vet. Largimi i tyre, nënkuptonte edhe shuarjen e Shoqërisë, me që përbënin gati gjysmën e saj. SHKA “Aradhet e Sharrit” ka mbajtur të gjallë jetën kulturore në fshat e më gjerë, gjatë dekadës së tetë të shekullit të kaluar. Në këtë periudhë, vlen të përmendet pjesëmarrja e saj në Festivalin e Drenasit, por edhe të disa anëtarëve në festivale të ndryshme të folklorit, që janë organizuar atëbotë në Zagreb, Ohër etj.
 
Organizimi i SHKA-ve nëpër fshatrat e Opojës
 
Fundi i viteve tetëdhjeta dhe fillimi i viteve nëntëdhjeta, që karakterizohen më grevën e minatorëve të Trepçës dhe protestat e mëdha gjithëpopullore, në përkrahje të minatorëve, bënë që të krijohej një frymë e re entuziazmi. Rënia e komunizmit dhe lindja e sistemit pluralist, dalja në skenë e nacionalizmit serb, në krye me Milosheviqin, bënë që shqiptarët ta marrin në dorë fatin e tyre. Presioneve që vinin nga Beogradi, mbyllja e shkollave dhe institucioneve kulturore, shqiptarët iu përgjigjen me organizimin paralel. Në këtë periudhë, shqiptarët shquhen për një entuziazëm të pashoq. Pothuajse nëpër të gjitha fshatrat e Opojës qenë themeluar shoqëri kuluro-artistike e grupe të ndryshme muzikore e teatrale, të cilat tubonin rreth vetës talente të reja. Edhe në Bresanë ringjallet jeta kulturore, e bashkë me të edhe talentet e muzikës që tashmë kishin një përvojë nga organizimet e mëhershme. Në këtë periudhë shquhen Masar Sinani, Bardhyl Abazi, Vajdin Asllani, Ylber Vehbiu, Ymet Tosuni, Qemal Ibrahimi e të tjerë, të cilët shfaqin programe artistike, me rastin e festave të ndryshme kombëtare. Këta njerëz e kanë mbajtur gjallë jetën artistike, pothuajse gjatë tërë dekadës së nëntë të shekullit të kaluar, deri në vitin 1997, ku si pasojë e luftës në Kosovë, qe ndërprerë çdo aktivitet kulturor. Në këtë periudhë, madje edhe dasmat bëheshin pa instrumentet karakteristike, lodrat dhe cyrlet!
 
Rilindja
 
Çlirimi i Kosovës, në qershor të vitit 1999, bëri që sërish të ringjallet jeta kulturore, e bashkë me të, edhe të formohet Shoqëria Kulturo-Artistike, e cila do ta mbaj emrin “Bresana”. Kjo, në fakt, ishte vazhdimësi e SHKA-së “Aradhet e Sharrit”, por tani me një vizion të ri, me njerëz të rinj dhe shumë më e kompletuar. Kuvendi themelues u mbajt më 12 dhjetor 1999. Menjëherë të nesërmen filluan ushtrimet dhe koncerti i parë u dha në manifestimin “Flaka e Janarit” në Sharr, të organizuar nga Klubi Letrar “Luigj Gurakuqi” nga kjo komunë. Prezantimi dinjitoz në këtë manifestim dhe duartrokitjet e gjata të shikuesve, e shtuan besimin dhe entuziazmin e anëtarëve. Kjo bëri që shoqërisë t’i bashkëngjitën edhe më shumë anëtarë, jo vetëm nga Bresana, por edhe nga fshatrat përreth.
Një koncert i mbajtur në Bresanë dhe një tjetër në Sharr, ishin një përvojë relativisht e mirë, që ndikoi në shtimin e vetëbesimit të anëtarëve dhe përgatitjen për prezantime në aktivitete më serioze. Në prill të vitit 2000, konkretisht në njëvjetorin e dëbimit masiv të opojanëve për në Shqipëri, SHKA “Bresana” udhëton për në Kukës, ku shfaq koncertin “Faleminderit Kukës”, i cili u përcoll nga rreth 10 mijë njerëz, të tubuar në sheshin përpara shtëpisë së kulturës të këtij qyteti. Ishte grupi i parë artistik nga Kosova që po kthehej pas një viti, për ta falënderuar Kukësin për mikpritjen që u bëri atyre një vjet më parë, kur ua hapi dyert dhe zemrat. Edhe sot është i freskët në mendjen e kuksianëve defileu nëpër rrugën kryesore të Kukësit, që i parapriu këtij koncerti, kur vallëzonin bashkërisht opojanë e lumjanë. Ishin ato momente të papërshkruara gëzimi. Prezantimit dinjitoz të bresanasve në Kukës, iu dha hapësirë e madhe publicitare në mediat lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare. Ky koncert shërbeu si një ogur i mirë për SHKA “Bresana”, e cila më pas do të ftohej në secilin festival që organizohet në Kosovë dhe jashtë saj. Në secilin festival “Bresana” bëri paraqitje dinjitoze duke u shpërblyer me çmime, medalje e mirënjohje, dhe brenda pak vitesh u shndërrua në njërën nga shoqëritë më të suksesshme kulturo-artistike, jo vetëm në Kosovë por në mbarë hapësirën shqiptare.
  
Pjesëmarrja në festivale
 
SHKA “Bresana” ka marrë pjesë në të gjitha edicionet e pasluftës. Ajo mer pjesë edhe në festivalin e folklorit burimor “Hasi Jehon”, që organizohet nga SHKA “Malësori”, në fillim të muajit maj në fshatin Gjonaj të Hasit, ku në të marrin pjesë afërsisht 20 SHKA, grupe rapsodësh dhe grupe muzikore nga mbarë hapësira shqiptare. Festivali ka karakter garues dhe ndanë tri çmime kryesore; “Malësori”, “Malësorja” dhe “Lahuta e Malësisë”. SHKA “Bresana” është laureate e të tri këtyre çmimeve, madje dy të parat i ka fituar nga dy herë, ndërkohë që ka fituar edhe disa çmime speciale që ndahen në këtë festival. SHKA “Bresana” ka qenë pjesëmarrëse e rregullt edhe në Festivalin tradicional që është mbajtur në Prizren, nga viti 2000 deri në vitin 2007. Në të gjitha këto edicione, ajo është prezantuar denjësisht dhe është shpërblyer me çmime të ndryshme, medalje e mirënjohje të shumta.
Në Tuz të Malësisë së Madhe, çdo të dytën vjet organizohet Festivali Folklorik Mbarëkombëtar “Rapsha”. Në këtë Festival marrin pjesë Grupet, SHKA-të dhe Ansamblet Folklorike kombëtare nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës etj., përfshirë edhe ato të ngulimeve të vjetra e të reja jashtë trojeve kombëtare dhe të mërgatës së përkohshme, të cilat kultivojnë folklorin burimor, në bazë të ftesës së organizatorit. Koncepti i Festivalit ka përcaktimin rajonal të vlerave, prej nga vijnë pjesëmarrësit. Përmbajtja e programit duhet të jetë sa më burimore dhe kërkohet që çdo pjesëmarrës të prezantohet me folklor të rrethit nga ai vjen. Poashtu, kërkohet që veshja (kostumet) e pjesëmarrësve të jenë sa më origjinale. “Bresana” është prezantuar në tri edicionet e fundit të këtij festivali (2005, 2007 dhe 2009), ku në të tria ka lënë përshtypje të jashtëzakonshme, duke fituar një mori çmimesh që ndan organizatori i këtij festivali.
Kulmin e suksesit të saj “Bresana” e ka arritur në dy edicionet e fundit të Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Vetë pjesëmarrja në këtë festival, ishte një sfidë e madhe për “Bresanën”. Siç dihet, Festivali Folklorik i Gjirokastrës është një nga evenimentet më të bukura të muzikës popullore shqiptare. Kjo veprimtari shumë e rëndësishme e trashëgimisë shpirtërore kombëtare, zhvillohet në Kalanë dhe Qendrën Historike të këtij qyteti muze. Në edicionin e VIII-të të këtij festivali, i cili është mbajtur nga 29 shtator deri më 5 tetor 2004, “Bresana” është paraqitur me ritet pagane, karakteristike të zonës, si dhe me elemente të dasmës opojane. Nga ky edicion, “Bresana” është kthyer me çmimin e tretë të festivalit, të cilin e ka ndarë me grupet e Fierit dhe Elbasanit.
Ndërkaq, në edicionin e nëntë të festivalit të Gjirokastrës, i cili është zhvilluar nga 24-29 shtator, “Bresana” është prezantuar me elemente të Dasmës së Opojës. Paraqitja e saj është vlerësuar lartë, si nga publiku ashtu edhe nga juria. Këtë radhë, “Bresana” ka fituar çmimin e dytë (në shkallë qarku), në kuadër të Grupit Kosova 2.
SHKA “Bresana” ka marrë pjesë gjithashtu edhe në edicionin e dhjetë jubilar të festivalit “Sharri këndon” në Tetovë, si mysafire speciale. Festivali është mbajtur në qershor të vitit 2005, ndërsa “Bresana” është prezantuar në natën e tretë finale. Qysh me rastin e defileut që është organizuar nëpër rrugët e qytetit të Tetovës, amatorët bresanas kanë përfituar simpatinë e publikut dhe paraqitja e tyre në skenën e shtëpisë së kulturës në Tetovë, është pritur me duartrokitje të gjata. Nga organizatori i festivalit, “Bresana” është nderuar me çmim special.
SHKA “Bresana” ka marrë pjesë gjithashtu edhe në Festivalin e XVII-të të Shoqërive dhe Ansambleve Kulturo-artistike “Kaçaniku 2006”, ku në mënyrë dinjitoze ka shpalosur vlerat e folklorit burimor opojan.
Në Revistën e Folklorit Burimor Kosovar (RFBK), që dikur ishte i vetmi festival folklorik në Kosovë, “Bresana” ka marrë pjesë në disa edicione. Në vitet e tetëdhjeta në RFBK janë prezantuar kryesisht grupe valltarësh nga ky fshat, ndërsa në dy edicionet e pasluftës (2002 dhe 2006), ku edhe fillon të mbahet çdo katër vjet me emër të ri, si Revista e Folklorit Burimor Shqiptar e Drenasit, SHKA “Bresana” është paraqitur e kompletuar dhe është mirëpritur nga të pranishmit. Në edicionin e fundit të RFBSH “Drenasi 2006”, ku kishte një pjesëmarrje jashtëzakonisht të madhe të shoqërive të ndryshme kulturo-artistike nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva dhe Kosova, “Bresana” është vlerësuar ndër shoqëritë më të mira.
Nga data 1 deri 5 gusht të vitit 2009, SHKA “Bresana” e ka përfaqësuar Kosovën në edicionin e pestë të Festivalit Folklorik Mesdhetar "Vlora 2009". Në këtë festival kanë marrë pjesë katërmbëdhjetë grupe folklorike nga Bosnja, Kroacia, Bullgaria, Greqia, Turqia, Italia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Shqipëria. Festivali është zhvilluar në skenat verore, në tre sheshe të qytetit. Në secilën nga pesë paraqitjet që i ka pasur, “Bresana” është përcjellë nga një numër i madh i publikut vendës dhe të huaj, si dhe i është dhënë hapësirë e madhe mediale, ngase po e përfaqësonte shtetin më të ri në botë.
SHKA “Bresana” ka marrë pjesë gjithashtu edhe në festivale të rinisë që janë organizuar në Prishtinë, Prizren, Sharr dhe Bresanë. Kjo shoqëri me programet e saja është paraqitur, pothuajse në të gjitha edicionet e manifestimit tradicional letrar “Ora e madhe letrare e Ymer Prizrenit”, që organizohet çdo vit në fshatin Zgatar, si dhe ka dhënë koncerte me rastin e festave të ndryshme. Vlen të përmendet këtu edhe pjesëmarrja në aktivitetin e organizuar në Prishtinë, me rastin e Ditës së çlirimit të SHBA-së, pastaj me rastin e hapjes së Muzeut Etnologjik, e gjithashtu edhe në koncertin e organizuar nga Lëvizja “Vetëvendosje”, me rastin e ditës së flamurit kombëtar, 28 nëntor 2008.
Aktualisht, SHKA “Bresana” udhëhiqet nga kryesia 10- anëtarëshe. Drejtor i SHKA-së, që nga viti 1999, është Fejsal Shaqiri, sekretar Salim Salihu, ndërsa udhëheqës artistik, Myzafer Lutfiu. Anëtarë të kryesisë janë: Demir Reshiti, Shaban Shabani, Naser Nesimi, Gjelal Ibrahimi, Gursel Idrizi, Muhamet Sinani dhe Vajdin Asllani. Në një periudhë, kontributin e tyre në kryesi e kanë dhënë edhe Qazim Muhameti, Qemal Kasami, Nexhat Ramadani dhe Daut Rakipi.
 
 
(Ky shkrim është botuar edhe në Revistën SHARRI)
Share