• Kërkimi i Shpejtë •

• Lidhjet Direkte •

kpm_radio_sharri

komuna_dragash_radio_sharri

• Publicitet •

ambienti_radio_sharri_dragash

grill_sharri_radio

kolloni_radio_sharri

• Publicitet •

ilva_radio_sharri_dragash

• Publicitet •

publicitet_nje_radio_sharri

• Publicitet •

libri_radio_sharri

• Publicitet •

kufje_radio_sharri

• Dita e FLAMURIT •

edhe:
Gëzuar!
connect_radio_sharri_tring
Lajmet BLIC - edicioni i parë
e Hënë, 14 Dhjetor 2009 09:28

Dragash
- Kandidati i PDK-së, Salim Jenuzi, i ka fituar zgjedhjet për kryetar të Dragashit, kundrejt Halim Shemsidinit, nga LDK-ja.
Fitoren e Jenuzit e ka konfirmuar edhe Shtabi Zgjedhor i LDK-së. Ndërkohë, Burim Piraj, kandidat i AAK-së, i cili e ka përkrahur në balotazh Halim Shemsidinin e LDK-së, ia ka uruar fitoren PDK-së, pas një vizite që i bëri Shtabit Zgjedhor të kësaj të fundit, menjëherë pasi raportet nga terreni treguan se, për afërsisht një mijë vota, Jenuzi është në epërsi.
Nga 35 mijë e 454 qytetarë të Komunës së Dragashit, sa kishin të drejtë të votonin në zgjedhjet e balotazhit, këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar, mbi 35% prej tyre, ose rreth 13.000 votues.
Dragash - Bazuar në rezultatet, të cilat i ka shpallur Shtabi Zgjedhor i PDK-së në Dragash, sipas të cilave, kandidati për kryetar komune nga kjo parti, Salim Jenuzi, ka fituar 6.683 vota, kundrejt kandidatit nga LDK-ja,  Halim Shemsidinit, i cili, sipas këtij shtabi, ka fituar 5.688 vota, në qendër të Dragashit, mbrëmë kanë mbërritur simpatizantët e PDK-së nga të gjitha fshatrat e Opojës dhe Gorës, për të festuar fitoren e kandidatit të tyre.
Vetë Jenuzi, në qendër të Dragashit, para ndërtesës së Komunës, merrte përgëzime nga qytetarët, të cilët ia uronin fitoren e mandatit të plotë katërvjeçar, për dallim nga mandati i kaluar, të cilin e gëzoi vetëm dy vjet. “Kjo nuk është fitore e imja, por e të gjithëve, pa dallim... Do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve të komunës së Dragashit dhe do t’i trajtojë të gjithë njësoj”, tha Jenuzi për radion tonë, menjëherë pas shpalljes së fitores nga shtabi i tij zgjedhorë.
Dragash - Shtabi Zgjedhor i LDK-së në Dragash, në një prononcim për radion tonë, e ka pranuar humbjen e kandidatit të tyre, Halim Shemsidinit, duke dhënë shifrat për secilin vendvotim, ku, sipas tyre, për 809 vota, kandidati i PDK-së ka fituar në këto zgjedhje.
Xhemal Iljazi, nga Shtabi Zgjedhor i LDK-së, tha se kandidati i tyre, Halim Shemsidini, ka fituar 5.675 vota, ndërsa kundërkandidati nga PDK-ja, Salim Jenuzi, ka fituar 6.484 vota. “Bazuar në këto të dhëna që na kanë arritur nga komisionerët tanë, kandidati jonë i ka humbur këto zgjedhje”, tha Iljazi.
Sipas listës së llogaritjeve të LDK-së, Halim Shemsidini ka fituar në fshatin e tij, Zaplluxhe, pastaj në Buçe, Xërxe dhe Pllajnik, si dhe në fshatrat e Gorës; Rapçë, Vraniç, Orqushë dhe Dikancë. Ndërkaq, në të gjitha fshatrat tjera, përfshirë edhe qytezën e Dragashit, ka fituar kandidati i PDK-së, Salim Jenuzi.
Prizren - Në Prizren edhe PDK-ja edhe LDK-ja, mbrëmë kanë shpallur fitoren dhe kanë festuar në sheshin “Shatërvan” dhe në rrugët kryesore të qytetit.
Zafir Berisha, nga PDK-ja, ka deklaruar se kandidati i partisë së tij ka fituar me 24 mijë e 22 vota, karshi kandidatit të LDK-së, i cili, sipas tij, ka fituar 23 mijë e 401 vota.
Në anën tjetër, Ridvan Hoxha, nga LDK-ja, ka deklaruar se kandidati i tyre, Hanefi Muharremi ka fituar me 25 mijë e 25 vota apo 51 për qind, kurse Ramadan Muja, sipas tij, ka marrë 24 mijë e 622, apo rreth 49 për qind.
Mësohet se, rreth 1.500 vota janë me kusht, e që konsiderohet se numërimi i tyre do të jetë vendimtar për ta përcaktuar fituesin në Prizren.
Prizren - Sipas koalicionit të OJQ-ve vendore “Demokracia në Veprim”, Partia Demokratike e Kosovës ka dalë fituese në Gjilan dhe Mitrovicë, Lidhja Demokratike e Kosovës në Prizren, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Pejë.
Në bazë të rezultateve preliminare të këtij koalicioni, kandidatët e PDK-së kanë fituar në Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Mitrovicë, Lipjan, Rahovec, Viti,Vushtrri dhe Malishevë.
Kandidatët e LDK-së kanë fituar në Istog, Kamenicë, Obiliq, Prizren, Podujevë dhe Novobërdë.
AAK-ja ka fituar Pejën, Suharekën dhe Junikun. Kandidati i pavarur, Refki Suma, ka dalë fitues në Han të Elezit, ndërsa SLS ka fituar Shtërpcën. Ndërkohë, Erkan Vardari, nga koalicioni vëzhgues “Demokracia në Veprim” në Prizren, tha se pas arritjes së disa raporteve shtesë, ekziston balanci në mes të kandidatit të PDK-së, Muja dhe atij të LDK-së, Muharremi.
Prishtinë - Rezultatet paraprake të shpallura në orët e para të ditës së sotme, tregojnë se një rezultat i ngushtë është mes kandidatëve për kryetarë të komunës së Prizrenit, ku kandidati i PDK-së Ramadan Muja, është në epërsi për 42 vota, kundrejt kandidatit të LDK-së, Hanefi Muharremi.
Sipas këtyre rezultateve, PDK-ja është në epërsi në Prizren, Gjilan, Rahovec, Dragash, Kaçanik, Klinë, Mitrovicë, Lipjan, Vushtrri, Malishevë dhe Viti.
LDK-ja është në epërsi në Podujevë, Istog, Kastriot, Artanë dhe Dardanë.
AAK-ja në Pejë, Junik dhe Suharekë.
SLS në Shtërpcë. Kurse në komunën e Hanit të Elezit, në epërsi është kandidati i pavarur, Refki Suma.
Romë - Kryeministri italian, Silvio Berlusconi, është goditur mbrëmë në Milano, nga një person 42 vjeçar, për të cilin thuhet se ka probleme mendore.
Berlusconi, është goditur me grusht në fytyrë, në momentin kur ai po përshëndeste mbështetësit e tij.
Menjëherë pas ngjarjes, kryeministri Berluskoni, i gjakosur në fytyrë, është transportuar në spitalin e San Rafaelos, ndërsa agresori i tij është ndaluar nga karabinierët dhe po merret në pyetje.
Share