Dragash, 19 shtator 2013 – Kandidati i LDK-së për kryetar të Dragashit, Fatmir Mehmeti, është shprehur se do ta fitojë Dragashin, pasi programi i tyre, siç thotë, është i hartuar mirë dhe përbën bazën kryesore për fitoren e LDK-së në Dragash. “Jam i bindur se, më 3 nëntor, do të dalim fitues. Kjo, për disa arsye domethënëse; kemi përgatitur planin qeverisës, me vizion të qartë dhe të realizueshëm edhe në praktikë, kemi përzgjedhur ekipin që përbëhet nga ekspertët, kemi prezantuar potencial të fuqishëm të kandidatëve për Kuvendin e Komunës së Dragashit, kemi treguar seriozitet dhe afinitet në kthimin e imazhit të LDK-së, si dhe kemi parë se elektorati po tregon gatishmëri për të na votuar”, ka thënë Mehmeti për Radio SHARRI-n, duke shtuar se, këto parakushte për fitoren e tyre, forcohen edhe nga dobësia e pushtetit aktual. “Fitoren tonë e bëjnë të sigurt edhe paaftësitë e menaxhimit politik që ka dëshmuar pushteti aktual, keqësimi i raporteve ndëretnike në komunën tonë, shpërdorimet gjatë konsumimit të buxhetit, politizimi dhe degradimi i sistemit arsimor në Dragash, dështimet në shëndetësi, Injorimi ndaj investitorëve vendës dhe të huaj, si dhe varfërimi i popullatës, edhe ashtu ndër më të varfrat në vend”, ka shtuar Mehmeti.
Duke i pasur këto përparësi, thotë Mehmeti, si dhe dobësitë e pushtetit aktual, i cili është konsumuar gjatë dy mandateve, mund të themi se qytetarët tanë do të na japin votën, pa hezitim. “Ne do të jemi fitues, më 3 nëntor”, i tha me bindje radios sonë, kandidati për kryetar të Dragashit, nga radhët e LDK-së, Fatmir Mehmeti.
|