Plagosen, një goran dhe një serb! |
e Shtunë, 27 Prill 2013 16:25 |
Mitrovicë, 27 prill 2013 - Dy të rinj, të moshës 15 vjeçe, njëri me përkatësi etnike serbe dhe tjetri me përkatësi gorane, janë goditur me thikë nga persona që ende mbesin të panjohur për organet e rendit. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të shkollës teknike, në veriun e Mitrovicës. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për këtë rajon, Besim Hoti, i ka thënë radios “Evropa e Lirë” se viktimat e sulmit iu kanë thënë hetuesve policorë, se janë sulmuar prapa shpinës nga tre persona që nuk i kanë njohur. “Policia e ka regjistruar rastin dhe ka iniciuar hetimet. Por, tash për tash, kryerësit e këtij sulmi janë të panjohur për ne”, ka thënë Hoti.
Megjithatë, zyrtarët e policisë kanë shprehur dyshimin, për faktin se mungojnë dëshmitarët okularë, edhe pse në vendin ku ka ndodhur ngjarja, fluksi i njerëzve ishte i madh.
Dy të plagosurit janë shtruar në spitalin e Mitrovicës, në pjesën veriore të qytetit, për të cilët mjekët kanë thënë se gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën.
|