• Kërkimi i Shpejtë •

• Lidhjet Direkte •

kpm_radio_sharri

komuna_dragash_radio_sharri

• Publicitet •

ambienti_radio_sharri_dragash

grill_sharri_radio

kolloni_radio_sharri

• Publicitet •

ilva_radio_sharri_dragash

• Publicitet •

publicitet_nje_radio_sharri

• Publicitet •

libri_radio_sharri

• Publicitet •

kufje_radio_sharri

• Dita e FLAMURIT •

edhe:
Gëzuar!
connect_radio_sharri_tring
e Enjte, 21 Mars 2013 21:44

beqaj_beqir_drejtori
Beqir BEQAJ - drejtor i përgjithshëm në Radio SHARRI
DËNIMI ME VDEKJE - Pro et Contra!

Dy vëllezërit, Josif dhe Dritëbardh Çuko, nga fshati Libofshë i Fierit, u shpallën fajtorë për vrasje të shumëfishtë, të cilën e kryen në fshatin e tyre, më 29 maj të vitit 1992. Ata kishin hyrë në mesnatë në banesën e familjes Puto, ku vranë djalin e vogël të shtëpisë, bashkë me nusen e tij, pastaj vranë babanë dhe nënën e djalit, e në fund e mbyllën veprën e tyre kriminale, duke vrarë edhe vogëlushen 8 muajshe.
Vdekja e 5 anëtarëve të familjes Çuko bëri bujë të madhe në Shqipëri, ku u kërkua nga qytetarët që dorasëve të kësaj vepre t’iu jepet dënimi me vdekje. Pas një gjyqi 24 ditor, të dy vëllezërit u shpallën fajtorë dhe u dënuan me vdekje, ekzekutim me varje në sheshin e qytetit. Spektakli i trishtueshëm i varjes së tyre ndodhi më 25 qershor 1992, në qendër të Fierit. Trupat e tyre u lanë të varur, deri mbrëmjen e ditës së nesërme, për tu parë nga popullata që erdhën edhe nga qytetet tjera të Shqipërisë. Atëbotë, kishin kaluar 8 muaj, që kur demokracia ishte futur në Shqipëri, por që legjislacioni nuk kishte ndryshuar ende. Ky ishte dënimi i fundit me vdekje, i aplikuar në Shqipëri, sepse reagimet e shumta nga brenda dhe jashtë Shqipërisë, detyruan qeverinë demokratike që të ndërhyj në legjislacion, nga i cili do të hiqej masa e dënimit me vdekje.
Dy dekada më pas, kur Shqipëria ka ndryshuar në çdo fushë, ndonëse këto ndryshime lënë për të dëshiruar shumë më shumë, shtimi i numrit të viktimave, si pasojë e kriminalitetit, në popullatë është zgjuar kërkesa që masa e dënimit me vdekje të aplikohet sërish në Shqipëri.
Sado që kjo tingëllon si kthim prapa për shtetin shqiptar, nuk mund të hesht asnjeri, kur shikon se sot krimi po merr çdo ditë jetë njerëzish të pafajshëm. Vrasjet makabre të femrave, për motive të dobëta anekënd vendit, dhunë nëpër familje, qërim hesapesh mes kriminelëve kudo... Të gjitha këto skena, sigurisht që kërkojnë ndërhyrje të shpejtë nga shteti ligjor.

Siguria e qytetarit është obligim i qeverisë

Në shtetet demokratike, qëllimi i qeverive është që të bëjnë atë që është në dobi për secilin qytetar, duke ua garantuar atyre, fillimisht jetën dhe lirinë e lëvizjes, për tu marrë më pas edhe me mirëqenien e tyre, përmes garancive të të drejtave ekonomike, si dhe duke ua mbrojtur qytetarëve dhe grupeve të ndryshme të interesit, vlerat humane.
Në fakt, e drejta për jetë është e garantuar edhe me nenin 21 të Kushtetutës së Shqipërisë, ku thuhet se jeta e çdo personi mbrohet me ligj, si e drejtë themelore. Po ashtu, e drejta për jetë është e garantuar edhe me nenin 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilën Shqipëria e ka bërë pjesë të brendshme të legjislacionit të vet. Por, në praktikë, e drejta për të jetuar, në Shqipëri është e rrezikuar, sikurse që është e rrezikuar edhe e drejta ekonomike, ku mungon siguria për të ushtruar qetësisht veprimtari biznesi, apo edhe më keq, e drejta e pronës, e cila, në të shumtën e rasteve nuk iu kthye të zotit, pas rënies së sistemit të egër monist, i cili ua kishte konfiskuar qytetarëve çdo pëllëmbë të pronës private. Pikërisht kjo padrejtësi, shpeshherë po bëhet shkas për qërim hesapesh mes qytetarëve, madje edhe brenda familjeve.

Vrasje, kudo dhe për çdo ditë!

E trishtueshme është, kur dëgjon për çdo ditë në lajme për vrasjen e një të vetëpunësuari, i cili me aktivitetin e tij ushqente familjen, pa iu bërë barrë shtetit. Apo, kur dëgjon vrasjen e zyrtarëve nëpër banka, posta etj. Sa e trishtueshme ishte vitin e kaluar një skenë në Vlorë, kur, teksa po i shijoja bukuritë e këtij qyteti në shtetin amë, pasi kisha ardhur nga Kosova që të t’i kaloja pushimet verore në plazhin jugor, papritmas dëgjoj krisma kallashnikovi në pikë të drekës, e që ma përkujtuan luftën e Kosovës. Në mbrëmje, dëgjoj në lajme se si e kishin plaçkitur një grua, e cila po i tërhiqte paratë e saj që i kishte fituar jashtë atdheut.
Si shqiptar, më shumë do të më pëlqente të dëgjoja lajme të tipit servisor, se si është gjendja në trafik, ku mund të parkoj automjetin, apo të shikoja ndonjë njoftim për ndonjë shfaqje verore. Fundja, për këtë kisha ardhur. Por, ato krisma më bënë që të ikja, pa i bërë dy ditë pushim. Dhe, për ta vazhduar pushimin e lënë në gjysmë, gjeta qetësinë në plazhet e Malit të Zi. Por, edhe nga andej, dëgjoja lajme se si po vriten femrat në shtetin amë nga bashkëshortët e tyre, e që më turpëronin para malazezëve, të cilët, duke e ditur se jam shqiptar, më pyesnin, nëse kisha dëgjuar për këtë ndodhi. Të tilla lajme dëgjojmë çdo ditë, edhe sot, kudo që ndodhemi.
Që revolta të shtohet edhe më shumë, si për inat, dëgjojmë pseudoanalistë, fytyra këto që televizionet e Shqipërisë i kanë bërë të përhershme, e të cilat debatojnë për çfarëdo teme, nisur nga ekonomia, moda, politika e deri tek dashuria! Këta të gjithëdijshëm, kur është fjala për turizmin, ua shohin për të madhe shqiptarëve nga jashtë Shqipëria, të cilët janë më të fortë ekonomikisht, që pushimet verore i kalojnë diku tjetër dhe jo në Shqipëri. Por, asnjëherë nuk analizojnë se, përse po e anashkalojnë shtetin amë shqiptarët e pasur. Harrojnë se një pushues kërkon vend të sigurt, të qetë dhe mikpritës... qytetarë që respektojnë çdo “jabanxhi” kur iu vjen në qytetin e tyre. Harrojnë se ambienti për të pushuar në Shqipëri, përkundrazi, të lodhë.

Niveli i sigurisë... Zero!

Si pasojë e pasigurisë për jetën e çdo qytetari, shteti duhet të ndërmarrë masa urgjente, duke u nisur nga riformatimi i policisë, që nga polici më i thjeshtë e deri tek koka komanduese, rritjen e vëmendjes së agjencive shtetërore, ashpërsimin e dispozitave të Kodit Penal, madje edhe mundësinë për rikthimin e dënimit me vdekje, për kategoritë më të tmerrshme, siç ishte rasti i fshatit Libofshë, para dy dekadash, apo edhe rasti i këtyre ditëve i maniakut pedofil, Ardian Përrenjasi, i cili u kap të dielën, pasi kishte rrëmbyer dhe abuzuar me një fëmijë 10 vjeçar, ndërkohë që ka pranuar se një tjetër fëmijë, dhjetorin e kaluar e kishte vrarë.
Pyetja, nëse duhet ta rikthej Shqipëria dënimin me vdekje, apo fakti i pamundësisë për një hap të tillë, për shkak se synon aderimin në Bashkimin Evropian, si dhe proceseve tjera integruese, kërkon një debat të gjerë kombëtar.
Shikuar më ndryshe, qeveria e Shqipërisë nuk duhet të përballet me presionin për rikthimin e dënimit më vdekje, por do të duhej të akuzohej, për faktin se nuk veproi mençur, kur e hoqi këtë masë të rëndë ndëshkimore, derisa e kishte në Kodin Penal.
Heqja e kësaj mase, nuk është dashur të bëhej brenda natës, por do të duhej të bëhej gjatë një periudhe më të gjatë, madje të mos hiqej deri në ditët e sotme. Kjo, sepse heqja e kësaj mase, nuk e futi Shqipërinë në BE, por e largoi edhe më shumë! Shqipëria sot po përjeton rritje marramendëse të krimeve. Faqet e gazetave mbushen çdo ditë me lajme monstruoze të marrjes se jetëve, raste të panumërta të dhunës dhe masakrimit të femrave në çdo cep të vendit, grabitje me armë, rritja e shkallës së “vetëgjyqësisë”, gjakmarrjes.
Në të gjitha rastet, gjyqësori nuk po tregohet efikas në parandalimin e këtyre dukurive, apo përmes dënimeve meritore për ata që kryejnë vepra kriminale.

Dënimi me vdekje debatohet edhe në qeveri!

Kryeministri aktual i Shqipërisë, Sali Berisha, njoftoi se do ta sjell në Kuvend paketën ligjore, ku parashikohet ashpërsimi i Kodit Penal. Ai paralajmëroi se me këtë kod parashihen dënime shumë më të rrepta për dhunën në familje, vrasjen e femrave, dhunimin ndaj fëmijëve, për vrasjen e policëve, si dhe për gjakmarrjen. Ai nuk anashkaloi ngjarjen e fundit që tronditi mbarë qytetarët, kur një 45-vjeçar u zbulua se kishte abuzuar me një të mitur dhe deklaroi se kishte vrarë një tjetër. Por, Berisha kujtoi se Shqipëria është anëtare e Këshillit të Evropës dhe, heqja e dënimit me vdekje është kusht për anëtarësimin në këtë institucion.
Fjalët e kryeministrit Berisha të bëjnë të kuptosh, se Shqipëria i paska përmbushur të gjitha kushtet tjera, edhe për anëtarësim në BE, dhe, vetëm çështja e dënimit me vdekje e pengoka të anëtarësohet në këtë familje të madhe evropiane. Madje, Berisha akuzon të gjithë ata që deklarojnë kohet e fundit se, me këto ngjarje kriminale të përditshme, ka marrë fund shteti.
Nga ana tjetër, opozita konstaton se qytetarët nuk janë fare të sigurt në Shqipëri. Në një reagim, pas deklaratave të kryeministrit, deputetja socialiste, Eglantina Gjermeni, u shpreh se shteti duhet të ushtroj rolin e vet në një shoqëri demokratike. Ajo konstatoi se shtetasit e Shqipërisë nuk janë të sigurt, ku policia reagon me vonesë.
Do t’i jepej e drejta për këto konstatime opozitës, sikur ajo të dëshmonte se është vërtetë e përqendruar në sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve. Por, kjo opozitë ka dëshmuar të kundërtën. Askush nuk mund të më bind ndryshe, veç se faktit se kjo opozitë është në gjendje të shkel, edhe nëpër kufoma, vetëm për ta kapur majën e pushtetit. Fundja, kjo opozitë e qeverisi Shqipërinë për disa vjet dhe, rezultatet në këtë fushë ishin, po kaq të këqija, për të mos thënë edhe më të këqija.

Sigurinë e bëjnë autoritetet serioze!

Po të ishin autoritetet serioze, të pastra dhe pa interesa të ngushta, edhe me forcën e ligjeve ekzistuese do t’iu kundërviheshin me sukses subjekteve të krimit, duke iu treguar se masa e dënimit, nuk iu leverdisë për veprat që bëjnë. Mbrojtja dhe garantimi i jetës, është mision, i cili duhet të prijë në institucionet shtetërore. Në rastin kur kryeministri paralajmëron ashpërsimin e legjislacionit penal, por pa e rikthyer dënimin me vdekje, mirë do të ishte të merrej shembulli nga SHBA-të, ku aktualisht aplikohet dënimi me vdekje, në rastet e krimeve monstruoze.
Ndonëse, Evropa e kundërshton këtë masë ndëshkimore, sikurse që e kundërshtojnë edhe doktrinat fetare, për rastet që tronditin gjithë shoqërinë, aplikimi i një mase të tillë dënimi, me siguri se do ta ulte shkallën e kriminalitetit në Shqipëri, si dhe do ta ndërgjegjësonte çdo individ për pasojat që e presin, në rast të kryerjes së një krimi. Aplikimi i këtij dënimi, do t’i çlironte edhe të ngujuarit nga frika e gjakmarrjes. Ata ende jetojnë të ngujuar, sepse janë të vetëdijshëm se jeta e tyre nuk mbrohet nga shteti.
Kujtojmë se, në kohën e monizmit, gjakmarrja ishte zhdukur, pikërisht nga frika e dënimit me vdekje që aplikohej nga ai regjim. I njëjti dënim vazhdoi të aplikohej edhe në vitet e para të demokracisë dhe, realisht pati dhënë rezultate në parandalimin e krimeve makabre.
Paralajmërimi i kryeministrit për ashpërsimin e ligjeve, por pa e aplikuar dënimin me vdekje, sepse me këtë nuk do të pajtohej KEDNJ, le shumë për të dyshuar. Kjo, sepse qeveria aktuale, duke aplikuar standardet evropiane, por pa e pasur fuqinë e shteteve të Këshillit të Evropës, do të rezultonte, vetëm me një propagandë dhe assesi në parandalimin e krimit.
Efekti i dënimit me vdekje, duke e humbur përkohësisht Evropën, Shqipërinë do ta bënte fitimtare, sepse qytetarët e saj do të fitonin sigurinë. Shqipëria do ta fitonte edhe besimin dhe dashurinë e shqiptarëve që jetojnë jashtë saj, për të fituar më pas edhe sigurinë dhe besimin e investitorëve të huaj, të cilëve aktualisht nuk ua mban të investojnë në Shqipëri, pasi investimi i tyre do t’i ngjasonte një investimi në ndonjërën nga bastoret e shumta sportive në Shqipëri. Shoqëria kërkon liri dhe dinjitet, pastaj kërkon mirëqenie dhe ekonomi më të mirë. Cilado qeveri që nuk ia siguron këtë, kot e ka që bën propagandë boshe, kur të gjithëve ua kanë pirë lëngun qytetarët dhe njohin secilin politikan. Aq më tepër, kur të gjithë politikanët janë të konsumuar.


Share